Kina prezanton librarinë e së ardhmes

Në qytetin verilindor të Kinës, Tianjin, prezantohet libraria më e veçantë e realizuar ndonjëherë, e projektuar nga kompania holandeze MVRDV, shkruan revista “New Atlas”.

Auto & Tek

05/11/2017 16:03

Kjo librari e veçantë, e projektuar në bashkëpunim me Institutin e Dizenjimit dhe Planifikimit Urban në Tianjin (TUPDI), është ngritur rreth një sfere gjigante që ka një auditor në brendësi.

Përreth kësaj sfere gjigante janë vendosur rafte me libra që i ngjajnë një harte topografike që vazhdon deri në tavan. “Pjesa e brendshme e Librarisë Tianjin Binhai ngjan si një shpellë, që ka pafund rafte librash”, shpjegon Winy Maas, bashkëthemelues i MVRDV.

Raftet përveç se shërbejnë për të mbajtur librat, me strukturën e tyre të valëzuar shërbejnë si shkallë dhe si karrige, duke i mundësuar njerëzve të shfrytëzojnë plotësisht hapësirën. Maas e përshkruan këtë strukturë si “një dhomë pritjeje urbane”.

“Raftet e librave janë shumë të përshtatshme për t’u ulur si dhe njëkohësisht mundësojnë aksesin në katet e tjera. Këndet dhe kthesat janë realizuar që të stimulohen përdorime të ndryshme të hapësirës, si leximi, ecja, takime dhe bisedime”, thekson Maas.

“Pyetja jonë e parë pasi pamë këtë dizajn ishte, si do të arrihen librat që janë në raftet pranë tavanit?”, thotë ai. Fatkeqësisht u arrit në zgjidhjen që raftet e sipërme të jenë pllaka alumini. Ky nuk ishte qëllimi origjinal i projektuesve të MVRDV-së.

Plani fillestar ishte që të arriheshin katet e sipërme nëpërmjet disa dhomave të vendosura pas tyre. Por gjatë fazës së ndërtimit ky element u hoq. Kjo godinë u ndërtua për tre vite dhe ndonëse pjesa e sipërme nuk është e shfrytëzueshme libraria mban 1,2 milionë libra.