Kim Mehmeti: Tokat shqiptare kanë filluar t’i ngjajnë kopshtit pa rojtarë

Analisti politik dhe shkrimtari shqiptar nga Maqedonia, Kim Mehmeti, thotë se duhet të mburremi dhe të kthejmë kokën nga më e vlefshmja që kemi, rinia. Por, sipas tij, tokat shqiptare me ikjen e rinisë jashtë vendit po i ngjajnë kopshtit pa rojtarë.

Lajme

28/11/2014 13:29

Mehmeti në një status në profilin e tij në Facebook ka thënë, ndër të tjera, se më shumë flamujbartës Kuq e Zi ka jashtë sesa në, siç e quajti ai, “Shqipëritë” tona.

Lexoni më poshtë shkrimin e plotë të shkrimtarit:

“Sot kur festojmë Ditën e Flamurit, sot kur shqiptaria është stolisur me ngjyrat Kuq e Zi, duhet të ndjehemi mburrshëm e krenarë, por edhe të kthejmë shikimin nga më e vlefshmja që kemi – rinia! Dhe të shohim se atë rini e stolisë një patriotizëm madhështorë, patriotizëm që ka vlerën e palcës së boshtit kurrizorë të shqiptarisë, por të cilës rini, veçanërisht asaj në Kosovë, Maqedoni e në Luginë të Preshevës, thuajse ia harxhuam idealet e pastra duke e lënë në duart e manipuluesve të ndryshëm dhe politikanëve të papërgjegjshëm, me çka, atë rini e prumë në situatë t’i braktisë trojet e të parëve dhe t’i ngjajë kalorësit që shkon deri atje ku e çon kali pa frerë! Me çka pra edhe u bëmë popull që ka më shumë flamujbartës Kuq e Zi jashtë, se sa në “Shqipëritë” tona, gjë që nuk është për t’u mburrur, por që tregon se sa i përket rinisë, tokat shqiptarë kanë filluar t’i ngjajnë kopshtit pa rojtarë!”( Kim Mehmeti)