Kim Jong-un rikthehet me shkop

Herën e fundit ai u pa në publik më 3 shtator, në një koncert. Pastaj u “zhduk”.

Bota

14/10/2014 10:33

Javen e kaluar mediat botërore raportuan se gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar, mirëpo autoritetet e Koresë së Veriut nuk pranonin të flisnin për gjendjen fizike të liderit të tyre.   

Sot udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un ka bërë paraqitjen e parë publike, por nuk ka mundur të fsheh shkopin e tij.     

Agjencia zyrtare e lajmeve KCNA njoftoi se Kim të martën “dha udhëzime në terren” në lagjen e sapondërtuar për shkencëtarë.

E përditshmja Rodong Sinmun realizoi disa fotografi të liderit të Koresë së Veriut, që kishte dalur për të inspektuar lagjen e re të kryeqytetit Pyongyang, por kësaj radhe jo si zakonisht, pasi mbante në dorë një shkop.

Mungesa e liderit 32-vjeçar kishte shkaktuar një stuhi spekulimesh në lidhje me shëndetin e tij.

“Por fotografitë janë fotografi, kështu që është e pamundur të dihet gjendja fizike e Kim Jong-un. Është e pamundur të dihet se sa lehtë ecën pas operimit që mendohet t’i jetë nënshtruar pas 3 shtatorit, apo kësaj radhe është ngritur në këmbë vetëm me ndihmën e shkopit, sa për të bërë fotografi”, shkruan BBC, transmeton lajmi.net.

Edhe pse agjencia KCNA nuk ka saktësuar se në cilën ditë është bërë vizita, përkundër mistereve, fotografitë tregojnë në mënyrë të qartë se Kim Jong-un, megjithatë është ende diktator i Koresë së Veriut.