KIESA informon gratë ndërmarrëse për zgjerim të biznesit

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) në bashkëpunim me projektin e Komisionit Evropian kanë vazhduar punëtorinë për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Lajme

12/05/2017 13:49

Gjatë kësaj punëtorie ndërmarrjet u informuan rreth mënyrave të aplikimit për të përfituar nga ky program.

Këto sesione informuese kanë për qëllim informimin mbi programin mbështetës përmes të cilit projekti ICEP do t’iu ofrojë këshillime profesionale për rritjen e eksportit rreth 30 Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme të Kosovës.

Ministrja në largim e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, tha se kanë punuar shumë në përmirësimin e ambientit biznesor të cilat janë evidente, raporton Ekonomia Online.

Ajo tha se pavarësisht situatave politike KIESA do të jetë në shërbim të ndërmarrjeve.

Bajrami falënderoi Zyrën e BE-së në Kosovë për ndihmën e dhënë në projektet për përkrahjen e ndërmarrjeve.

“Në kuadër të këtij projekti një nga komponentët kryesore është programi për zhvillimin e ndërmarrjeve dhe mendoj që është një projekt i mirë dhe qe një kohë të gjatë KIESA ka bërë një tur të gjatë për t’i informuar të gjitha ndërmarrjet rreth projektit”, tha ajo.

“Janë disa projekte të cilat po vazhdojnë, dhe ju ftoj që ju të përfitoni. Zyra e BE-së do t’i ketë programet e nevojshme dhe ne kemi kërkuar që të mos mbesim vetëm me këshilldhënie, por edhe ofrimi i granteve”, ka thënë ajo.

Besian Mustafa, drejtor i KIESA-s tha se është një projekt për të cilin kanë punuar shumë për t’i siguruar fondet për të zhvilluar projektin dhe se pa MTI-në dhe Zyrën e BE-së kjo nuk do të ndodhte.

“Ne promovojmë dhe mbështetim investimet, eksportin si dhe zonat ekonomike, që kemi tetë nga to, ku kompanitë që dëshirojnë të ndërtojnë fabrika që të marrin parcela”, tha ai.

Përfaqësuesja e Zyrës së BE-së, Corine Deku, tha se qëllimi është që të mbështetet MTI-ja dhe bizneset në aspekt të konkurrencës, eksportit, duke ofruar korniza të përshtatshme për ndërmarrjet.

“Qeveria e Kosovës është një lojtari kyç, në mënyrë që të sigurojmë që mjedisi i të bërit biznes  në Kosovë është i përshtatshëm dhe përmes këtyre programeve dhe zhvillimit të ndërmarrjeve të rritet punësimi”, ka theksuar Deku.

Ndërsa, Horgen Mendritski, udhëheqës i projektit ICEP, tha se në shtetet ku ai ka punuar femrat ishin shtytëse të zhvillimit ekonomik.

“Ky program është i mbështetur nga projekti i Zyrës së BE-së në Kosovë, ku ekipi është i përzier. Në botë ka ndërmarrje inovative, dinamike dhe skeptike dhe ato që hamenden. Unë besoj që fakti që jeni këtu i takoni grupit të parë. Ne duam që kompanitë kosovare të jenë më konkurrente, që të jenë në gjendje të bëjnë biznes. Në qoftë se ju jeni eksportues, ne ju ndihmojmë që ju të zgjeroni eksportin”, tha ai.

KIESA është duke zhvilluar Programin për Zhvillimin e Ndërmarrjeve për të forcuar aftësinë konkurruese dhe të eksportit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të Kosovës në katër sektor: Përpunimi i drurit, Përpunimi i metaleve, përpunimi i plastikës dhe gomës, prodhimi i mallrave të tekstilit dhe lëkurës. Zbatimi i këtij mundësohet përmes mbështetjes financiare të BE-së.