Khedira tregon se a duhej të akordohej penalltia kundër Juventusit

Mesfushori i Juventusit, Sami Khedira, i është bashkuar atyre që reaguan për penalltinë e gjykuar në kohën shtesë të ndeshjes ndërmjet Real Madridit dhe Juventusit, e cila skuadrës italiane i kushtoi me eliminim nga Liga e Kampionëve.

Sport

13/04/2018 20:37

Në një intervistë të dhënë për “Sky Sport”, gjermani ka vlerësuar fillimisht paraqitjen e bërë nga skuadra e Allegrit.  “Të luash në ‘Bernabeu’ dhe të përmbysësh një rezultat është pothuajse e pamundur, e kemi bërë për 90 minuta, por ndeshjet, ndonjëherë, zgjasin më shumë. Justifikimet dhe akuzat nuk shërbejnë për asgjë, duhet të shikojmë përpara”, është shprehur Khedira.

Në lidhje me ndërhyrjen e Benatias ndaj Vazquez, ai ka thënë: “Penalltia mund të jepet ose jo, por nëse shikojmë ndeshjen duket qartë se gjyqtari nuk ishte 100 për qind i sigurt, ka pritur disa sekonda dhe më pas ka vendosur. Mendoj se nuk është e drejtë që një penallti e tillë të jepet në minutën e 93-të, nuk është korrekte. Duhet të jesh 100 për qind i sigurt. Kjo është arsyeja pse jemi zemëruar, kemi luftuar për 90 minuta dhe nuk mund të dënohesh nga një episod për të cilin nuk je plotësisht i sigurt. Është një vendim i vështirë për t’u pranuar, por duhet ta pranojmë”.