Khamenei kritikon SHBA-në për ndarjen e fëmijëve nga prindërit

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, kritikoi ashpër Shtetet e Bashkuara për politikën e ndarjes së fëmijëve nga prindërit imigrantë, që bëjnë përpjekje të kalojnë ilegalisht kufirin Meksikë-SHBA.

Bota

21/06/2018 09:03

Presidenti amerikan, Donald Trump, e ndaloi politikën e tillë të mërkurën, për shkak të zemërimit publik, jo vetëm nga Khamenei, por edhe liderë të tjerë botërorë dhe grupe të të drejtave të njeriut.

“Ndarja e mijëra fëmijëve nga nënat e tyre është çështje serioze. Njeriu nuk mund t’i shohë në gjendje të qetë këta fëmijë duke qarë”, tha Khamenei.

“Si mund të kryejnë një krim të tillë për të zbatuar një politikë? Kjo tregon se sa të këqij janë”, shtoi Khamenei.

Derisa politika ka qenë në fuqi, mbi 2,000 fëmijë janë ndarë nga prindërit ose kujdestarët nga autoritetet kufitare të SHBA-së.

Përkrahësit kanë thënë se politika është e nevojshme për të dekurajuar njerëzit nga përpjekjet për të migruar në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të paligjshme.