Këto janë ushqimet që duhet të jenë patjetër në shportën tuaj

Sipas stinës, pazaret. Kështu thonë specialistët e fushës.

Lifestyle

03/03/2018 09:41

Mund të preferojmë ushqime nga më të ndryshmet ama kur vjen puna për të diskutuar të mirat që përftojmë nga tryeza, të gjithë bien në një mendje: menuja jonë e përditshme varet nga stina në të cilën jemi. Thënë ndryshe mos bini pre e tundimit, por blini atë çfarë ju ofron toka në periudhën ku jemi.

Dhe meqë po flasim për muajin mars, lind pyetja: Me çfarë duhet ta mbushin shportën ushqimore këtë muaj? Do të gjeni më poshtë disa sugjerime, thënë ndryshe perimet dhe frutat e marsit, ato që nuk duhet të mungojnë kurrësesi në tryezën tuaj.

Perimet e marsit:

Shparguj, brokoli, karçof, karota, çikore, produkte deti, finok, sallatë jeshile, patate të reja, spinaq dhe lakra. Këto janë produktet që duhet të hyjnë menjëherë në listën e pazareve të marsit.

Shpargujt janë pak kalorikë dhe kanë aftësi pastruese, por janë edhe të pasur me acik urik, pra jo shumë të këshillueshëm për ata që vuajnë nga inflamacionet renale.

Kur flitet për perimet e marsit nuk mund të harrojmë kurrësesi karçofin, një burim i çmuar kaliumi dhe hekuri. Karçofi përmban një substancë, cinarina, që favorizon tretjen dhe pastrimin e veshkave. Janë të çmuar për mëlçinë dhe absolutisht të këshilluar për dietën e njerëzve që vuajnë nga diabeti. Përveç kësaj, ndihmojnë në mbajtjen nën kontroll të vlerave të kolesterolit.

Brokoli përmban sulforafan, një substancë me shumë përparësi, në gjendje të mbrojë organizmin nga inflamacionet e llojeve të ndryshme dhe patologji të tjera.

Në muajin mars, nuk duhet të mungojë në tryezë spinaqi, i pasur me vitaminë A dhe acid folik, por mbi të gjitha me nitrat, një substancë që, sipas të dhënave të fundit shkencore, është në gjendje të shtojë forcën muskulare, përfshirë edhe atë të muskulit kardiak.

Marsi është gjithashtu muaji i fundit në të cilin mund të përfitojmë nga aftësitë antioksiduese të lakrës dhe lulelakrës.

Frutat e marsit:

Kur flitet për frutat dhe perimet e marsit, ka tendencë të përmenden agrumet. Por në të vërtetë kjo nuk është më periudha ideale e këtyre frutave, ose të paktën jo e gjithë atyre që përfshihen në këtë familje. Sepse, fjala vjen, ekzistojnë disa lloje mandarinash të vona, që mund të konsiderohen ende “të stinës”. Ama portokalle të mira gjenden pak ose më mirë të themi që varet nga zona ku jetoni. Ata që jetojnë në jug, pranë tyre, mund të përfitojnë nëse i gjejnë të freskët. Dhe meqë jemi tek agrumet, marsi është stina e kedrit dhe është gjithashtu koha e përshtatshme për të blerë gejpfrut, i pasur me fibra, flavonoide dhe vitamina. Kujdes duhet të tregoni në rastet e terapive farmakologjike. Sipas disa studimeve shkencore, gejpfruti mund të pengojë ose të shkaktojë efekt të kundërt me efektet e disa ilaçeve.

Gjithashtu në muajin mars dalin në treg luleshtrydhet e para, por gjithësesi, ky nuk është ende një muaj i përshtatshëm për t’i blerë. Janë të kushtueshme dhe mbi të gjitha ky nuk është muaji i luleshtrydheve bio. Më mirë prisni prillin, kur fillojnë të tregtohen luleshtrydhet lokale dhe bio. Shporta e marsit mban ende mollët, dardhën dhe kivin, të gjithë këta, fruta të njohur për aftësitë e panumërta ushqyese dhe të pasur me minerale dhe vitamina.