Këto janë projektet që Stavileci beson se do ta shpien Kosovën drejt zhvillimit ekonomik

Ministëri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Blerand Stavileci ka prezantuar sot disa projektet që sipas tij do ta shpien Kosovën në zhvillim ekonomik.

Lajme

14/02/2017 13:56

Energjia, teknologjia, sektori i minierave dhe administratës publike, sipas Stavilecit, janë katër pikat që MZHE do t’i ketë top prioritet, raporton lajmi.net.

“Sot do t’i prezantojë projektet kryesore, që besojmë që kjo do ta shpije Kosovën në një nivel tjetër. Energjia, teknologjia, sektori i minierave dhe administratës publike janë katër pikat që MZHE do t’i ketë top prioritet. Kemi arritur që teknologjia që do të përdoret në energji të jetë miqësore për ambientin. Kemi në interesim të madh të kompanive të mëdha për ndërtimin e Kosovës së Re”, tha Stavileci.

Ndër tjera ai tha se interkoneksioni zgjon interesim, por që ka pasur bllokada nga pala serbe.

“Një projekt që zgjon interesim është edhe interkoneksioni po kemi pasur bllokim nga pala serbe. Por tash jemi drejtues të Traktatit të Energjisë dhe kemi hapur këtë temë që të zhbllokohet procesi”, theksoi ai.

Më pas ai përmendi edhe Rehabilitimi i Kosovës B, sipas tij, “BE është duke e bërë projektin e rehabilitimit dhe do të shohim cilën rrugë të financimit do të zgjedhim ne. Jemi të orientuar po ashtu që Kosova e Re të shkojë si investim i huaj. Projekt tjetër me rëndësi është edhe bashkëpunimi me Shqipërinë. Projekt tjetër është fondi i efiçencës dhe e kemi buxhetuar këtë program që ka qenë një kërkesë e kamotshme nga Komisioni Evropian.”

“Po shohim një projekt për studim të fizibilitetit për tu lidhur me TAP-in, gaz përçuesin që do të lidhet Shqipëria me të që do të kalon mga Azerbejxhani në Turqi, Greqi, Shqipëri, Itali”, deklaroi Stavileci.

“Ligji për Trepçën është një mburrje për të gjithë neve dhe pothuajse një konsensus. Kemi arritur ta bëjmë një ligj e tash e kemi sfidën e radhës për ta bërë zbatimin. Hapi i parë krijimi i bordit, hartimi i statutit dhe  hapi i tretë ta regjistrojmë në regjistrin e tregtisë dhe industrisë si ndërmarrje. Menjëherë  do t’i përvishemi punës dhe vitin e ardhshëm do ta prezantojmë Trepçën në konferencën me të madhe të minierave”, tha ndër tjera ai. /Lajmi.net/