Këto janë kompanitë që nuk do të paguajnë tarifë doganore

Qeveria e Kosovës, dje në mbledhjen e saj me propozim të ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka futur në fuqi taksën doganore në 100 për qind për mallrat serbe dhe boshnjake.

Lajme

22/11/2018 20:16

Edhe pse Qeveria e Kosovës dje me propozim të ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka marrë vendim që të fus në fuqi taksën doganore  prej 100 për qind për mallrat serbe dhe boshnjake, raporton lajmi.net.

Mirëpo, jo të gjitha mallrat që hyjnë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina do të paguajnë taksën 100 për qind.

Janë disa brende botërore të cilat janë me seli në Serbi nuk do ta paguajnë këtë taksë.

Siç shkruajnë mediat serbe, “Coca-Cola”, “Tuborg”, “Dukat”, Gemalto”, “Rauh”, “Henkel”, “Fluidi” nga Presheva, “Gorenje”, “Megel” dhe prodhuesi i keksit “Jaffa”, pasi që është pronësi e kompanisë “Kappa Star”, nuk do ta paguajnë taksën doganore të vendosur nga Qeveria e Kosovës, transmeton lajmi.net.

Për këto kompani, Qeveria e Kosovës ka bërë një aneks në vendimin e saj në mënyrë që për këto kompani të mos vlejë taksa doganore 100 për qind.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës fillimisht kishte vendosur taksë prej 10 për qind për mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina mirëpo, pas propagandës së Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL, e vendosi taksën doganore në 100 për qind. /Lajmi.net/