Këto janë 10 kompanitë që bënë diferencën e tenderëve në shtatë vjetët e fundit në Prishtinë

Komuna e Prishtinës është institucioni që realizon tender më së shumti gjatë viteve në Kosovë. Sa i përket numrit të kontratave në shtatë vitet e fundit, më së shumti janë realizuara në vitin 2015.

Lajme

16/08/2018 16:33

Jo njëherë pushtetarët e Prishtinës janë përfolur për afërsi me kompani të caktuar kur ato kanë marr tender. Megjithëkëtë, lajmi.net ka nxjerr nga ueb-faqja e Komunës së Prishtinës dhjetë kompanitë që kanë marrë më së shumti tender në Komunën e Prishtinës nga viti 2010, kur ishte kryetar Isa Mstafa deri në gusht të  këttij ku me Prishtinën po qeverisë Shpend Ahmeti.

Top dhjetë kompanitë me më së shumti kontrata kanë qenë: “Toifor” me 20 kontrata, “Rexha” me 20 kontrata, “ABC” me 18 kontrata, “Gashi ING” me 18 kontrata, “Ulpiana” me 17 kontrata, “Dardania” me 16 kontrata, “Zhvillimi” me 15, “Beni Dona” me 14 dhe po ashtu me 14 kontrata kompania e të njëjtit pronarë “Olti Trasnig”, dhe “KGT” me 14 kontrata.

Sa i përket numrit të kontratave ndër vite, më së shumti janë realizuara në vitin 2015, gjithsejt 371, pastaj në vitin 2014 kanë qenë 245, në vitin 2013 ishin 274, në vitin 2016 – 270, në vitin 2012 – 267, në vitin 2011 – 253, në vitin 2010 – 251, dhe më së paku në vitin 2017, ose 179 kontrata. Ndërkaq, deri më tani në vitin 2018 janë 95 kontrata, shkruan lajmi.net.

Top dhjetë kontratat më vlerë të madhe nga 2010 deri më tani

Kryetari aktual i Prishtinas, Shpend Ahmeti nuk po arrin që t’i mbyllë kontratat të cilat i ka nënshkruar para dy viteve. Tek projektet më vlerë të mëdha në top dhjetë kontratat nga viti 2010 e deri më tani, projekte të Shpend Ahmetit janë vetëm tri.

Projekti më i madhi është rregullimi i sheshit Zahir Pajaziti, i realizuar nga kompania “All Zone”, në vlerë totale prej 4,772,150.78 euro. Projekt ky i realizuar në vitin 2012.

Ndërtimi i Sheshit të Pavarësisë Ibrahim Rugova, i realizuar nga “All Zone&ABC”, në një vlerë totale prej 4,365,714.70 eurove, në vitin 2011.

Ndërtimi i kolektorit atmosferik mbi lumin Prishtina në Lagjen Kalabria. Vlera totale e këtij projekti është 3,045,674.10 euro, dhe është realizuar në vitin 2010 nga kompania “Çlirimi”.

Ndërtimi i rrugës B – faza e II-të, i realizuar nga kompania “Unicom” në vitin 2011, kap vlerën e 2,883,847.12 eurove.

Ndërtimi i rrethrrotullimit në dalje të Prishtinës – pjesa e III-të. Në vitin 2012, punët i ka kryer kompania “Kastrioti”, në vlerë prej 2,316,279.60 eurove.

Furnizimi me pllaka graniti për sheshin Ibrahim Rugova. Furznimin me pllaka në vitin 2012 e kanë bërë “All Zone&Gerg” në vlerë prej 2,279, 120.00 euro.

Ndërtimi i Kolektorit Betonarme dhe kanalizimi fekal në rrugën mbi lumin Prishtina, në vlerë prej 2,192, 854.60 euro, i cili ka filluar në vitin 2016, por nuk ka përfunduar ende.

Ndërtimi i rrethrrotullimit në dalje të Prishtinës – pjesa e I-rë. Në vitin 2012 punimet janë kryer nga kompania “Olti-Beni com” në vlerë prej 2,148,673.44 euro.

Urat – Unaza Qendrore , pjesa Perëndimore- Prishtine. Ky projekt i nisur në vitin 2016 nuk ka përfunduar akoma, derisa punët është duke i kryer kompania “Rexha” në një vlerë totale prej 1,969,163.08 euro.

Ndërtimi i Kolektorit Betonarme për largimin e ujti atmosferik dhe kanalizimi fekal ne rrugën mbi lumin MAT në lagjen Kalabria. Edhe ky projekt ka nisur në vitin 2016, por nuk ka përfunduar akoma, ndërsa punimet janë duke u kryer nga “Jehona&Beni cons.&arhiko”, në vlerë prej 1,696,063.32 eurove.

Numri i kontratave në bazë të tipit të prokurimit

Nga viti 2010 deri më tani më së shumti janë realizuar kontrata –punë, gjithsejt 811. Pastaj kontratat-furnizimet, gjithsejt 717, shërbime 635 dhe të pacaktuara janë 75.

Ndërkaq, sa i përket kontratave në bazë të vlerës së prokurimit më së shumti ka pasur të vlerave të mesme, gjithsejt 1295, vlera të vogla 367, vlerë minimale 205, vlera e madhe 287. /Lajmi.net/