Këto dy komuna bojkotojnë grevën e SBASHK-ut

Dy komuna të Kosovës kanë vendosur që nesër të rifillojnë mësimin pas vendimit të Qeverisë për rritje të pagave për mësimdhënësit.

Lajme

20/01/2019 22:20

Komuna e Junikut dhe e Vitisë kanë vendosur që nesër të mbajnë mësim, kështu duke bojkotuar vendimin e SBASHK-ut për të vazhduar grevën, shkruan lajmi.net.

Komuna e Junikut, e cila udhëhiqet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka vendosur që nesër të rinis procesi mësimor në tërë shkollat e saja, kusht duke e bojkotuar grevën e thirrur nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Nëpërmjet një njoftimi, të publikuar në faqen zyrtare në rrjetin social Facebook, Komuna e Junikut ka bërë të ditur se të hënën (nesër) do të fillojë gjysmëvjetori i dytë në të gjitha shkollat.

“Njoftojmë të gjithë qytetarët se nesër me datë 21. 01. 2019, e hënë fillon gjysmëvjetori i dytë në të gjitha shkollat në Komunën së Junikut sipas orarit paraprak. Të gjithë mësimdhënësve dhe nxënësve ju urojmë suksese!”, thuhet në njoftim, shkruan më tutje lajmi.net.

Ky vendim i Komunës së Junikut ka ardhur pas ofertës së Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave për mësimdhënësit në vlerë prej 20 milionë euro në vit për tërë sistemin arsimor.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti u ka kërkuar mësimdhënësve që të rifillojnë mësimin ditën e nesërme, e hënë 21 janar.

Edhe Haliti këtë apel e ka bërë pas vendimit të kryeministrit Ramush Haradinaj për rritjen e pagave në arsim.

“Pas reflektimit pozitiv të Qeverisë së Republikës së Kosovës për rritje të pagave në sektorin e arsimit kërkojmë nga mësimdhënësit e Komunës sonë që të rifillojnë mësimin, me qëllimin më të mirë që fëmijët tanë të mos humbasin orët e mësimit. Ne si institucione komunale jemi të përkushtuar që së bashku me ju dhe të gjithë akterët që të mos dëmtohet procesi mësimor’, thuhet në kërkesën e Halitit.

Ndryshe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ka vendosur që të vazhdojë grevën në të Kosovën deri në plotësimin e kushteve dhe kërkesave të tyre, shkruan më tutje lajmi.net.

Sipas SBASHK-ut, vendimi i Haradinajt për rritjen e pagave në sistemin arsimor nuk i plotëson kërkesat e tyre, pasi siç bëri të ditur në një njoftim për media, rritja e pagave prej 20 milionë euro në vit për mësimdhënësit është vetëm 10 për qind e koeficientit dhe jo siç po kërkon SBASHK-u, 30 për qind.

Madje SBASHK përmes këtij njoftimi ka bërë të ditur se në këtë 20 milionësh të Qeverisë nuk janë përfshirë punëtorët teknik, punëtorët administrativ si dhe i tërë sistemi universitar. /Lajmi.net/