Këtë ua kemi borxh fëmijëve tanë

Sot dhjetë vjet më parë më 9 dhjetor 2003 në Kombet e Bashkuara u mblodhën më shumë se 100 përfaqësues shtetesh nga e mbarë bota për të nënshkruar Konventën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit.

Opinion

09/12/2013 09:32

Sot dhjetë vjet më parë më 9 dhjetor 2003 në Kombet e Bashkuara u mblodhën më  shumë se 100 përfaqësues shtetesh nga e mbarë bota për të nënshkruar Konventën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit.

Përmes këtij akti  shtete të ndryshme, demonstruan gatishmërinë e një mobilizimi të përbashkët si asnjëherë më parë  përtej kufijve nacional për të vendosur rregulla, parime dhe principe të cilat sot e asaj dite janë në betejë kundër të keqes së quajtur Korrupsion.

Masat e kësaj konvente të cilat bazohen mbi parimet e ligjshmërisë, ndershmërisë, transparencës, llogaridhënies dhe demokracisë janë një udhërrëfyes i shkëlqyer për të gjitha shtetet  të cilat duhet të nxjerrin rregulla dhe marrin masa konkrete nëpër territoret e tyre , në përpjekje për ta shpëtuar shoqërinë e vetë nga  humnerizimi i së ardhmes  dhe i zhvillimit.

Ndonëse Kosova për shkak të statusit të saj politik që ka në OKB nuk ka arritur që të nënshkruaj këtë Konventë, por është anëtare vëzhguese e punimeve vjetore të saj shumë obligime që dalin prej saj  veqse i ka zbatuar, duke themeluar të gjithë mekanizmat shtetëror  që e luftoj dhe parandalojnë korrupsionin.

Por  a mjafton kjo?

Disa ditë  më parë,  raporti vjetor  i organizatës  prestigjioze  që merret me trendët e nivelit të Korrupsionit nëpër botë –  “Transparency Internationale” TI, Kosovën pothuajse e pasqyrojë “si  të pa fytyrë”.

Kjo duhet të na shqetësojë të gjithëve për  faktin se shteti që na takon të gjithë neve  pasqyrohet me nivelin e lartë të korrupsionit aty në mesin e shteteve afrikane, që ne i shohim nga larg si vende ku  nuk respektohen rregullat ligjor, por ato fisnore e klanore.  Në fakt notimi i studimit të  TI-së,  Kosovën  e rangon në mesin e tyre.

Në perspektiven e brendshme gjatë këtij viti Agjencia kundër Korrupsionit ka bërë një punë të madhe në parandalimin dhe luftimin e  korrupsionit.

Agjencia si mekanizëm kryesor i zbatimit të Ligjit Për Konfliktin e Interesit gjatë këtij viti ka hetuar  më shumë se 200 raste duke parandaluar kështu  Konfliktin e Interesit në të gjitha rastet e trajtuara.

Një aktivitet i suksesshëm i Agjencisë është edhe parandalimi i veprimeve të mundshme korruptive  të aktiviteteve tenderuese nëpër të gjitha institucionet e Republikës, si në nivel qendror, në atë  lokal,  mekanizmat e pavarur dhe ndërmarrjet publike. Kjo ka ndodhur përmes një angazhimi sistematik të monitorimit të proceseve dhe procedurave  të 25 aktiviteteve tenderuese.

Jam i lumtur të përmendi se këtë vit  deklarimi i pasurisë nga ana e zyrtarëve të lartë publik  ka qenë 99.3%, rast pozitiv ky që nuk është shënuar në as një shtet të botës. Ky fakt reflekton  masat strikte dhe këmbëngulëse që u vendosën në Kodin Penal të Kosovës ku mos deklarimi i  pasurisë është i paraparë  si vepër penale. E pra duke u nisur nga ky shembull konkret i rezultatit të dal nga masat e rrepta, do të ishte ideale sikur autoritete e drejtësisë  të  gjejnë   metodat e duhura  për të adresuar me vullnet e përkushtim kallëzimet penale si vepra të dyshuara korruptive që automatikisht do të reflektohet së  sukses edhe tek luftimi i korrupsionit, pjesa më problematike që po i jep imazh të keq  shoqërisë tonë.

Në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit unë u bëjë thirrje të gjithëve që të mos na lënë të vetëm, të bashkohen me ne, –  që gjithë së bashku ta japim maksimumin për ta luftuar korrupsionin, shkatërruesin e të ardhmes  prosperuese.

Konventa ndërkombëtare kundër korrupsionit tani ka bashkuar 168 shtete dhe kombe për të vetmin qëllim, fitoren e përbashkët kundër të keqes.

Duke marr si  shembull që shtet, e kombe nga kontinente të ndryshme kanë arritur të mobilizohen, atëherë pse ne të mos e bëjmë të njëjtën gjë sepse fundja mobilizimi dhe angazhimi i të gjithëve shënon rezultate në të mirë të  shtetit  dhe  përmirësimit të  imazhit të shoqërisë tonë.  Këtë e meritojnë qytetarët e Kosovës aleati më i fortë i Agjencisë.

Këtë ua kemi borxhe fëmijëve tanë!

(Autori është Drejtor i Agjencisë kundër Korrupsionit)