Këtë muaj kryhet performanca e drejtorëve të spitaleve, priten ndërrime

Imet Rrahmani, ministër i Shëndetësisë, deklaroi se në këtë post nuk ka ardhur për të vjedhur pasi që, si tha ai, “jetën e kam pasur të mirë”.

Lajme

23/03/2015 21:08

Do mundohemi t’i shtyjmë proceset e mira. Nuk është se nuk ka para në Ministri të Shëndetësisë, por ka pasur planifikim të dobët, tha ai në emisionin Puls të KTV-së.

“Do t’i suspendoj të gjithë drejtorët posa t’i vërtetojë shkeljet, ju garantoj. Këtë muaj do të bëhet performanca e të gjithë menaxherëve të spitaleve. Në MSH e kanë tejkaluar numrin e punëtorëve me kontrata mbi vepër. Kjo do të thotë se ka shkelje në pothuajse çdo institucion”, tha Rrahmani.

Ndërkaq, për sa i përket temës së ndërtimit të spitalit privat brenda QKUK, Rrahmani tha se ai nuk do ta nënshkruajë pa vendim qeveritar ose të gjyqësisë.

Sipas ministrit, në repartin e onkologjisë i kanë thënë se u mjaftojnë 9 milionë euro për citostatikë, ndërsa vitin e kaluar me 7 milionë euro janë harxhuar dhe janë përmbushur vetëm 30% e barnave të listës esenciale me citostatikë.

“Ose kanë bërë planifikim të gabuar ose diçka nuk është në rregull. Nuk është gjithmonë tek mungesa e buxhetit. Nuk ka nevojë që në listën esenciale t’i kemi 10 antibiotikë”, ka potencuar ministri.

Ndërkaq, Blerim Syla, nga sindikata e punëtorëve të shëndetësisë, tha se më 25 mars do të dalin në rrugë nëse hapen spitalet private brenda QKUK-së.

“Ne po kërkojmë ruajtjen e autonomisë territoriale”, theksoi ai, ndërsa shtoi se kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti nuk duhet të heshtë, sepse Inspektorati i Komunës po vendos shirita.

“Ku është Inspektorati që të shkojë dhe inspektojë se çka po punon ai spital. Vendosni shiritat aty derisa të zgjidhet çështja. Xhelal Sveqla duhet t’ia vë shiritat spitalit deri sa të zgjidhet problemi, e jo të rri e heshtur Komuna e Prishtinës”, shtoi ai.