Këta janë kandidatët që synojnë postin e kryeministrit në zgjedhjet e ardhshme

Edhe pse ende nuk dihet nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, subjektet politike në vend tashmë kanë filluar të mendojnë për zgjedhje. Madje, disa prej tyre tashmë i kanë zyrtarizuar edhe kandidatët për kryeministër.

Lajme

28/03/2017 09:59

Partia më e madhe në vend, Partia Demokratike e Kosovës tashmë e ka zyrtarizuar kandidatin e saj për kryeministër, e që është vet kreu i kësaj partie, Kadri Veseli. Kjo është zyrtarizuar në Konventën e tetë të PDK-së që u mbajt në fundjavë.

Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk ka biseduar për kandidatin e saj për kryeministër përderisa e ka aktualisht postin e kryeministrit.

“Ne e kemi kryeministrin veç. Të tjerët po e aspirojnë këtë. Nuk kemi biseduar për këtë çështje ne derisa e kemi nën udhëheqje Qeverinë”, ka thënë për lajmi.net nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

Ndërsa, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Visar Ymeri ka treguar për disponimin e këtij subjekti që ish-kreu i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti të kandidojë për postin e kryeministrit të vendit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Mendoj që po, ka mundësi që të bëhet edhe vendim i Lëvizjes Vetëvendosje dhe do të ishte shumë mirë nëse bëhet kështu. Pra nuk po them që do të ishte keq nëse bëhet me emra të tjerë, por po them që edhe nëse bëhet me Albinin do të ishte shumë mirë sepse Albin Kurti e ka edhe një përvojë të jashtëzakonshme politike e organizative dhe një vizion jashtëzakonisht të saktë dhe pozitiv për atë se çfarë duhet të ndodhë në Kosovë dhe si duhet fuqizuar Republikën e Kosovës. Albin Kurti është një prej personave që e ka materializuar dhe e ka avancuar këtë koncept politik jashtëzakonisht shumë”, ka thënë Ymeri.

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kandidat për kryeministër të koalicionit AAK-Nisma e sheh Ramush Haradinajn.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj ka thënë se beson që edhe Nisma do të pajtohet me kandimin e Haradinajt për kryeministër të vendit.

“AAK-ja si parti dhe Ramush Haradinaj si personalitet janë të vetmit që deri më tani janë sfiduar në gjithfarë skenarësh dhe që kanë arritur të mbahen pa u lëkundur, çka të tillë do të mbetën edhe me tutje… Për Kosovën gjithçka, të Kosovës asgjë! Nën ketë premtim (betim), besojmë shumë që Haradinaj do të ishte kandidati më i duhur për të udhëhequr me qeverinë e Kosovës. Sa i përket konsultave me partnerin tonë të koalicionit, NISMA-n, sigurisht që jemi në kontakte të përditësuara por pa specifikuar konkretisht, temën e kandidatit për kryeministër. Nuk besojë që ka kontestime në këtë mes e për Haradinaj kandidatë i koalicionit për kryeministër”, ka thënë Lekaj në një prononcim për lajmi.net.

Kurse, shefja e Grupit Parlamentar të Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami ka thënë se kjo çështej do të trajtohet pasi të kthehet Haradinaj nga Franca.

“Kjo iu përket dy liderëve të partive të koalicionit, Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt si dhe organeve drejtuese. Kjo temë do të trajtohet kur të kthehet Haradinaj në Kosovës. Shpresoj që s më shpejt do të kthehet”, ka deklaruar Bajrami.

Në anën tjetër, Korab Sejdiu nga Aleancës Kosova e Re ditë më parë ka konfirmuar për lajmi.net se lideri i këtij subjekti, Behgjet Pacolli do të jetë i kandidat për kryeministër.

“Natyrisht është udhëheqësi i partisë dhe është njëkohësisht kandidat për kryeministri sepse është zgjedhur në krye të partisë me modelin një anëtar një votë dhe e ka legjitimitetin që të jetë kandidati për kryeministër dhe po ashtu është personi më i përgatitur, sidomos në fushën e ekonomisë”, ka thënë Sejdiu. /Lajmi.net/