Kështu duken sheshet e Prishtinës ku komuna shpenzoi 75 mijë euro buxhet për dekorim

Pritjes për dekorimin e Prishtinës i ka ardhur fundi.

Lajme

23/12/2018 21:04

Komuna e Prishtinës më në fund ka përfunduar dekorimin e kryeqytetit për festat e fundvitit, shkruan lajmi.net.

Kreu i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka publikuar disa fotografi të shesheve kryesore.

“Bredhat në tri sheshe dhe dritat e ndryshme janë ndezur në krejt qytetin. Tregu i fundvitit edhe sivjet po mbledh shumë njerëz në atmosferën e festave të fundvitit”, ka shkruar Ahmeti në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, përcjell lajmi.net.

Ndryshe, komuna e Prishtinës për dekorimin e shesheve kryesore kishte ndarë 75 mijë euro buxhet.

Duke e krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit komunës i ka kushtuar 17 mijë euro më shumë dekorimi i shesheve kryesore.

Ndërkaq për këtë Adonis Tahiri, zëdhënës i Komunës së Prishtinës, kishte konfirmuar për lajmi.net se këtë vit buxheti ishte më i lartë për shkak se është shtuar edhe sheshi “Adem Jashari”.

Më poshtë ju sjellim fotografitë që ka shpërndarë Ahmeti në Facebook. /Lajmi.net/