Këshilltari kryesor i Merkelit bojkoton vetëm Vetëvendosjen

Andreas Schockenhoff, njëri nga këshilltarët kryesorë të kancelares gjermane, Angela Merkel, qëndroi sot në Kosovë, ku la porosinë se qeveria e re duhet të vazhdojë dialogun me Serbinë. Ai takoi liderët e partive më të mëdha në vend, Hashim Thaçin, Isa Mustafën e Ramush Haradinajn, por jo edhe liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. 

Lajme

20/06/2014 20:09

Deputeti gjerman, në takimet me liderët politik kosovarë kishte porosi të qartë. Ai tha se Kosova nuk ka rrugë tjetër, përveç vazhdimit të dialogut me Serbinë. 

Ndërsa për Lëvizjen Vetëvendosje, të cilën nuk e vizitoi fare, kishte edhe një mesazh të drejtpërdrejtë. “Ne nuk kemi mirëkuptim ndaj disa partive që kërkojnë ndërprerjen e dialogut”, tha zyrtari i lartë gjerman, pas takimit me liderin e LDK-së, Isa Mustafa. 

Se Schockenhoff, nuk e ka vizituar Vetëvendosjen, e ka konfirmuar për lajmi.net, edhe zyrtari për informim i këtij subjekti politik, Erzen Vraniqi. 

Lëvizja Vetëvendosje, është bërë aktor kyç në përpjekjet e grupimit opozitar, për krijimin e qeverisë së re, të dalë nga zgjedhjet e 8 qershorit. Por kjo parti, i ka vënë kushte koalicionit paszgjedhor LDK-AAK-Nisma, që të pezullojnë bisedimet me Serbinë dhe implementimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit. (lajmi.net)