Këshilltari i Thaçit: Opozita po mundohet ta zhvlerësojë vizitën e sekretarit Kerry

Këshilltari politik i Hashim Thaçit, Abelard Tahiri, ka thënë se opozita po mundohet t’i nënvlerësojë mesazhet e qarta të sekretarit John Kerry kundër veprimeve anarkiste të tyre, duke u përpjekur të tërheqin vëmendjen tek ndalesa e shkurtër dhe jo tek thelbi i deklaratave të tij.

Lajme

03/12/2015 16:30

“Në mënyrë shumë qesharake, opozita u mundua që t’i nënvlerësojë mesazhet e qarta të sekretarit John Kerry kundër veprimeve anarkiste të tyre, duke u përpjekur të tërheqin vëmendjen tek ndalesa e shkurtër dhe jo tek thelbi i deklaratave të tij. Ky ishte një manipulim i paskrupullt i tyre, me të cilin indirekt provuan të thonë se kinse amerikanët na kanë braktisur dhe tash po favorizojnë Serbinë, gjë që nuk është aspak e vërtetë, sikurse e konfirmoi edhe vetë sekretari Kerry. Arsyeja kryesore e vizitës në Serbi e sekretarit Kerry është pjesëmarrja në Këshillin Ministerial të 22-të të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, i cili mbahet prej 2-4 dhjetor në Beograd, sepse Serbia e ka presidencën e sivjetme të kësaj organizate. Pra, në Serbi është një vizitë multilaterale e sekretarit Kerry. Kurse, vizita e tij në Kosovë ishte bilaterale dhe i dedikohej vetëm shtetit tonë. Në këtë vizitë, sekretari Kerry rikonfirmoi qartazi mbështetjen e palëkundur të SHBA-ve ndaj Kosovës. Ndërsa, në ministerialin e OSBE-së në Serbi, krahas sekretarit Kerry marrin pjesë edhe 40 ministra të jashtëm të vendeve anëtare!”, ka shkruar Tahiri, në llogarinë e tij në Facebook.