Këshilltari i Thaçit në Beograd: Është koha për zgjidhje

Këshilltari i Presidentit të Kosovës ka zhvilluar një vizitë në Beograd, ku ka shprehur qëndrimet e Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve. Ai beson se tani është koha për zgjidhje përfundimtare.

Lajme

20/03/2018 23:22

Blerim Shala, ka qenë negociator i Kosovës në Rambujë të Francës, ku nuk u arrit paqja dhe pasuan bombardimet e NATO-s. Gati 20 vjet më vonë ende merret me të njëjtën punë. Beson se është koha për zgjidhje dhe paqe përfundimtare. Në Beograd u ka folur serbëve për qëndrimet e Prishtinës.

Blerim Shala, Këshilltar i Presidentit të Kosovës“Opsion tjetër nuk kemi. As Kosova si shtet, as Serbia si shtet. Tani me strategjinë e rë për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor kemi një shtytës shtesë, i cili duhet të na shtyjë për një periudhë të shkurtër kohore ta bëjmë marrëveshjen obligative, e cila do të na mundësonte që Kosova të bëhej anëtare e OKB-s”.

Presidenti kosovar dhe ai serb pritet të takohen në Bruksel. Shala thotë se do të konfirmohet ecuria drejt marrëveshjes përfundimtare dhe rishikohen marrëveshjet e arritura. Kosova ka bërë kompromis për serbët e Kosovës me planin e Ahtisarit.

Blerim Shala, Këshilltar i Presidentit të Kosovës: “Ne synojmë që marrëveshja obligative të jetë bazë për një rezolutë të re në Këshillin e Sigurisë të OKB-s dhe përmes rezolutës të aplikojmë për një anëtarësim të plotë në OKB. Ka ardhur koha që ta njohim këtë realitet dhe Serbia do ta njohë këtë realitet dhe do të ketë situata që të ndodhë një njohje e ndërsjelltë midis Kosovës dhe Serbisë”.

Shtypi serb është interesuar për idenë që Kosova të bëhet vëzhguese në OKB. Kosova nuk do ta bëj një gjë të tillë, por është e gatshme të negociojë në Bruksel me Serbinë për normalizimin./abcnews.al

YouTube player