Këshilli Opozitar shqiptar i Maqedonisë shpalos platformën

Këshilli Opozitar shqiptar i Maqedonisë të shtunën ka diskutuar për aktivitetet e deritanishme të Këshillit dhe e ka miratuar platformën e Këshillit Opozitar, me të cilën i fton subjektet opozitare shqiptare që t’i bashkëngjiten asaj dhe ajo të jetë agjenda e pjesëmarrjes së shqiptarëve në zgjedhjet e ardhshme në Maqedoni.

Lajme

28/02/2016 14:56

Po ashtu Këshilli ka konstatuar edhe se “duhet bërë detyrim kombëtar bashkimi i opozitës shqiptare, sepse vetëm ky bashkim mund ta shpëtojë kombin tonë nga falimentimi që ia kanë imponuar përfaqësuesit e deritanishëm politikë shqiptarë”.

Këshilli Opozitar u bën thirrje partive opozitare që ditëve në vijim të deklarohen për këtë platformë dhe për aderimin e tyre në Këshill.

Ja platforma e Këshillit Opozitar

Mision i Këshillit Opozitar është që, përtej preferencave dhe interesave personale, si dhe përtej interesave grupore partiake, të veprohet me urgjencë në shpëtimin e interesit kombëtar shqiptar në Maqedoni.

Detyra kryesore e kësaj platforme është që për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të ndërtojë një koalicion të gjerë shqiptar me të gjithë faktorët që kanë ndërgjegje kombëtare, të garojë në zgjedhje dhe të ofrojë një zgjidhje përkatëse për çështjen shqiptare në Maqedoni, pa e dëmtuar interesin e asnjë komuniteti tjetër në vend.

Pikat kryesore të kësaj platforme, mbi të cilat do të hartohet programi politik parazgjedhor i Këshillit Opozitar, do të jenë:

-shqiptarët të jenë barabartë dhe shtetformues në Republikën e Maqedonisë përmes ndryshimit të kushtetutës së vendit;

-gjuha shqipe të jetë zyrtare në gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë;

-vendosja e mekanizmit për vendimmarrje konsensuale në pushtetin ekzekutiv, legjislativ, gjyqësor dhe në pushtetin lokal;

-ndarja e buxhetit në bazë të drejtë dhe proporcionale;

-zhvillimi ekonomik dhe social, si dhe nivelizimi zhvillimor i të gjitha regjioneve të vendit;

-miratimi i ligjit për veteranët dhe të prekurit nga konflikti i vitit 2001;

-rishqyrtimi i të gjitha proceseve gjyqësore të rasteve të montuara politike;

-zhvillimi dhe nivelizimi i arsimit dhe kulturës shqiptare me standardet bashkëkohore të arsimit dhe kulturës;

-ndarja e re territoriale e Republikës së Maqedonisë;

-reformimi i administratës shtetërore në drejtim të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat jo vetëm në përqindjen e të punësuarve, por edhe në udhëheqjen e sektorëve në hierarkinë udhëheqëse të institucioneve;

-pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e shqiptarëve në bisedimet për çështjen e emrit të vendit, duke konsideruar se ky nuk është problem etnik, por ndërshtetëror.

Kjo platformë do të funksionojë mbi principin që secili që e përqafon atë, bëhet pjesë e saj, duke e nënshkruar atë, duke i pranuar detyrat dhe duke i gëzuar të drejtat që burojnë prej saj.

Palët nënshkruese të kësaj platforme obligohen që mos të pranojnë të hyjnë në asnjë bashkëpunim qeveritar pa përmbushjen e këtyre pikave.