Këshilli i Mediave shqyrtoi sot 11 ankesa

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës në mbledhjen e sotme shqyrtoi ankesën e Qendrës Tregtare ETC kundër portalit Gazeta Monitor lidhur me artikullin “ETC po na helmon: vendi skandaloz ku përpunohet mishi”. KMShK, pas diskutimeve vendosi se në këtë rast është shkelur Kreu II (Raportimi i së vërtetës), dhe Kreu IV (E drejta për t’u përgjigjur) të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës.

Lajme

27/03/2018 17:12

Sa i përket ankesës së Sedat Sahitaj kundër portalit Malisheva.net lidhur me artikullin “Goditet keq profesori që kritikoi qytetarët që iu bashkuan Nismës, ja çfarë i thanë…”, KMShK vendosi se ankesa miratohet.

Gjithashtu, KMShK miratoi ankesën e kompanisë IPKO kundër portalit Kosovaime.tv lidhur me artikullin “Si po mashtron IPKO me çmime të cilat po ua zbrazin xhepat qytetarëve”. Kjo ankesë u miratua pasi KMShK vendosi se portali ka shkelur Kreun II (Raportimi i së vërtetës), dhe Kreun IV (E drejta për t’u përgjigjur) të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës.

KMShK në mbledhjen e sotme miratoi edhe 7 ankesa të Devolli Group kundër gazetës Kosova Sot për shkelje të Kreut II (Raportimi i së vërtetës), dhe Kreut IV (E drejta për t’u përgjigjur).

Zyra e KMShK-së me ndërmjetësim ka zgjidhur ankesën në të cilën Qendra Informative e BKS-së ka kërkuar botimin e reagimit lidhur me artikullin “Tenderi milionësh i Byros Kosovare të Sigurimit” të botuar në gazetën Zëri. Gazeta Zëri e ka botuar reagimin, me çka ka plotësuar kërkesën e ankuesit.