Këshilli i Bashkësisë Islame shtron iftar në ambient të hapur në Gjilan

Bashkësia Islame në Gjilan ka organizuar iftar të përbashkët sonte në qendër të Gjilanit ku ka mbledhur mijëra agjërues që gjatë fjalës së kryetarit të BIK në Gjilan, Naim Aliu dhe kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri, u tha se iftari është bashkim për të gjithë agjëruesit në shenjë solidariteti dhe sakrifice.

Lajme

11/06/2018 07:34

Iftari që është shtruar sonte, pikërisht në Natën e Kadrid, natën më të madhe tek myslimanët, nga kryetari i Komunës së Gjilanit dhe ai i Bashkësisë Islame në Gjilan është konsideruar iftarë i bashkimit, i solidaritetit dhe ndarjes së sofrës dhe begative me qytetarë të shumtë, por edhe me ata që nuk kanë.

Kryetari Lutfi Haziri, i cili iu bashku këtij iftari ka thënë se agjërimi, iftari, solidariteti, përkushtimi e kujtimi i Zotit janë prej detyrave dhe përgjegjësive që kemi në këtë muaj të madh të ramazanit por edhe gjatë gjithë vitit.

“Kjo natë e madhe e Kadrit, natë e zbritjes së librit të shenjtë, është e tillë që ne ta ndajmë humanizmin dhe solidaritetin me të gjithë ata që nuk kanë. Uroj që këto ditë të mbetura të ramazanit të jenë ditë që do të përkushtohemi edhe më shumë, të jemi solidar dhe të ndajmë çdo të mirë së bashku dhe ky mesazh të bartet edhe për 11 muaj të tjerë, sepse është pjesë e pandashme e thirrjes së Zotit që të jemi të barabartë dhe të punojmë për mirëqenie për të gjithë qytetarët pa dallim”, ka thënë kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.

Kurse, Naim Aliu, kryetar i Bashkësisë Islame në Gjilan, ka falënderuar të gjithë që janë bashkuar në sofrën e përbashkët të iftarit, që nga institucionet e pranishme nga dy nivelet qeverisëse, e deri te qytetarët që ishin në një numër të konsiderueshëm.

“Falënderoj të gjithë të pranishmit në këtë iftarë të shtruar nga Këshilli i Bashkësisë Islame. Besimtari për besimtarin janë sikur pjesë të një ndërtese që e kompletojnë atë. Falënderoj Zotin që jemi bashkuar këtu, në këtë natë të madhe të Kadrit që është edhe nata e zbritjes së Kuranit famë lartë. Natë më me vlerë se një mijë muaj. Natë e arritjes së devotshmërisë. Natë e paqes, e humanitetit, e solidaritetit, e mëshirës dhe e faljes ndaj njëri – tjetrit. Të punojmë që vëllazëria, paqja dhe solidariteti si cilësi fetare e kombëtare e jona të ruhet mes nesh, sepse është obligim i përbashkët”, ka thënë mes tjerash kryetari Naim Aliu.