Këshilla të rëndësishme si të shmangemi nga deformimet e shtyllës kurrizore

Kur qëndrojmë para bankës në shkollë ose para tavolinës në shtëpi, duhet që të jemi ulur mirë në karrige, edhe tavolina të jetë shumë afër me trupin tonë, që mos të kemi mundësi të anojmë nga njëra

Lifestyle

19/03/2016 02:30

Lojërat e tepërta në celular, qëndrimi me orë të tëra para televizorit e internetit, si dhe çanta e mbushur me libra, po bëhen shkak për shfaqjen e deformimeve të shtyllës kurrizore që në moshë të vogël.

Ky shqetësim çdo ditë e më tepër është një problem të vazhdueshëm për shumë prindër. Fëmijët nga mosha  8-18 vjeç janë ata të cilët po e vuajnë këtë gjë. Fizioterapisti Endrit Mone në një intervistë për lexuesin e gazetës Shëndet+ shpjegon se çfarë është skolioza, çfarë e shkakton dhe format e trajtimit të saj.

Doktor, çfarë është skolioza?

Skolioza përfaqëson të shtrembëruarit anësor të boshtit të kurrizi. Kjo sëmundje është si pasojë e qëndrimit jo të rregullt përshembull tek nxënësit në bankën shkollore, mbajtja e çantave shkollore në njerin krah etj.

Çdo ditë po shfaqen probleme me shpinën e fëmijëve tanë, nga krijohet ky shqetësim?

Shtylla kurrizore është e përbërë nga një fleksibilitet që lejon edhe mundëson vetëm disa lloj lëvizjesh. Në rastin e shtyllës kurrizore ‘të papjekur mirë’ siç është ajo e fëmijëve është shumë e lehtë të kemi ndryshime përtej atyre të lejuara, veçanërisht nëse në to kemi ngarkesa të mëdha , përshembull 30% më tepër se pesha e trupit. Kemi probleme nëse rrimë për një kohë të gjatë në një pozicion të detyruar, ose nga ndonjë faktor i jashtëm, si goditje ose nga ndonjë aksident. Gjithashtu shumë probleme vijnë edhe nga patologjitë kongenitale, të lindura që pasqyrohen në asimetrinë e trupit.

Kush janë më të predispozuar të ketë probleme të tilla?

Më të predispozuar janë fëmijët deri në moshën 18-20 vjeç kur edhe arrihet pjekuria kockore. Më vonë ndryshimet në strukturën kockore është më e ngadaltë edhe më e vështirë.

Më shumë gjinia femërore sesa ajo mashkullore nga mosha 10-13 vjeç. Femrat janë gati 10 herë më të rrezikuara sesa bashkëmoshatarët e tyre meshkuj. Kjo për shkak se ato arrijnë një zhvillim më të shpejtë edhe më të hershëm sesa meshkujt.

Fëmijët të cilët nuk kanë pasur lindje normale ose kanë pasur lindje parakohe.

Fëmijët që kanë lindur me patologji të ndryshme, të cilat shfaqen në shtyllën kurrizore. Ata që kanë lindur me luksacion koksofemoral, ata që kanë lindur me probleme muskulore. Fëmijët që kanë asimetri në gjymtyrë.

Si njihen ndryshe këto deformime edhe si mund ti kapim në kohë?

Ndryshimet patologjike të shtyllës kurrizore janë kifoza edhe skolioza.

Skolioza është një deformim lateral i vertebrës që shoqërohet edhe me rrotullim të saj. Skolioza mund të paraqesë një kurbë primare (torakale, torako-lumbare, lumbare,cerviko-torakale) ose dy kurba primare ( kurbë torakale dhe lumbare,dopio kurbe torakale, kurbë torakale dhe torakolumbare)

Skolioza matet me gradë edhe trajtohet në bazë të gradëve të cilat mbart.

Deri në 15 gradë, skolioza trajtohet me ushtrime për posturën nga fizioterapisti.

Nga 20-30 gradë skolioza trajtohet me bust rregullues edhe fizioterapi.

Mbi 35 gradë trajtohet me bust rregullues edhe vlerësohet si rast për kirurgji.

Ndërsa kifoza është një kurbature dorsale e cila duket në profil edhe nëse kalon 35 gradët konsiderohet si anormale, edhe pse trajtimi duhet filluar më parë. Kifoza është mjaft e dukshme sepse kolona merr një pamje të përkulur në pjesën e kurrizit.

Këto deformime të shtyllës kurrizore, mjaft të dëmshme për shëndetin e fëmijës mund të evidentohen nga prindërit në momentin që fëmijët zhvishen ose shfaqin një problem. Nga mësuesi i fiskulturës ose doktoresha e shkollës.

Cilat janë rreziqet që mbartin këto deformime edhe shenjat e tyre?

Rrezikshmëria e tyre qëndron në faktin që nëse këto deformime nuk kapen dhe trajtohen në kohë deri në moshën e 18 vjeç, më vonë është e vështirë të kemi ndryshime të dukshme pasi kocka ka arritur një pjekuri të saj. Rrezikshmëria arrin deri në fatalitet. Në rastet të cilat janë mbi 40 gradë.

Rreziku tek femra qëndron në faktin që femra do bëhet nënë dhe në vitet e ardhshme do ketë edhe presionet e lindjes.

Ato deformime të cilat janë në nivelin torakal rrezikojnë të shtypin edhe organet duke penguar frymëmarrjen.

Përveç një rreziku estetik deformimet sjellin një lodhje të shpejtë, pengesë në frymëmarrje, dhimbje të shpinës etj.

Personat që janë me skoliozë duhet të dinë që skolioza nuk shkon asnjëherë 0 gradë, por ajo duhet të trajtohet edhe të mirëmbahet në ato gradë që nuk është e dëmshme.

Shenjat të cilat do ndihmonin shumë prindërit për një kontroll të shpejtë:

Niveli i supeve, në deformime niveli i tyre është asimetrik.

Niveli i krestave iliake, pjesa e legenit, në fundin e barkut, niveli i tyre duhet të jetë I njëjtë.

Niveli i gjymtyrëve të poshtme, niveli i gjunjëve.

Në një qëndrim normal, hapsira që krijon brryli me harkun e trupit duhet të jetë e njëjtë nga të dyja anët.

Niveli i shpatullave duhet të jetë i njëjtë.

Nëse përkulim fëmijën me këmbët e mbledhura edhe dallojmë që njëra anë është më sipër se ana tjeter në kurriz.

Në një qëndrim për disa minuta, fëmija ka tendencë të ndërrojë peshën e  trupit nga njëra anë të tjetra.

Pasi të evidentojmë një nga këto shenja cila është rruga që duhet ndjekur?

Pasi keni hasur në një nga këto shenja, është e këshillueshme që fëmija duhet të bëjë një kontroll te mjeku ortoped. Mjeku pasi evidenton disa nga shenjat e mësipërme, këshillon për kryerjen e një grafie të shtyllës kurrizore. Në bazë të grafisë shikohet edhe gjendja reale dhe bëhet matja e këndit. Në bazë të këndit përcaktohet edhe trajtimi i duhur.

Cilat janë disa nga këshillat që personat e prekur duhet të kenë parasysh?

Duhet të kemi kujdes me këpucët që përdorim, nëse kemi probleme me shputat, duhet të përdorim atletet e duhura, jo të sheshta edhe nëse është e nevojshme me plantaren e duhur, për një qëndrim më komod.

Fëmijët nuk duhet të rrinë në anë. shumë kohë në një pozicion, ( përshembull para kompjuterit ose televizorit ) edhe mos ti bëjnë këto gjëra shtrirë.

Kur qëndrojmë para bankës në shkollë ose para tavolinës në shtëpi, duhet që të jemi ulur mirë në karrige, edhe tavolina të jetë shumë afër me trupin tonë, që mos të kemi mundësi të anojmë nga njëra .

Duhet që të meremi me aktivitet sportiv ( preferohet noti ) një sport që mund të mbajë të tonifikuar muskujt e shpinës.

Nuk duhet të mbajmë pesha të rënda vetëm në njërën anë, duhet që pesha të jetë e mirë shpërndarë në të dyja anët.

Për të shmangur përkeqësimet, në rastin e  parë që ndjeni një shqetësim duhet të paraqiteni te mjeku edhe fizioterapisti juaj.

Cilat janë disa nga ushtrimet që përdoren në fizioterapi për kolonën?

Ushtrimet e posturës, janë të shumëllojshme edhe në bazë të kurbaturës, problemit , bëhet një program i posaçëm.

Rekomadohet 3-4 herë në javë një terapi me fizioterapistin edhe ushtrimet përqëndrohen në balancimin e muskulaturës, sepse në të tilla probleme, disa muskuj janë të zgjatur edhe disa janë të shkurtuar edhe pretendohet të vendoset një balancë.

Rekomandohet që shumica e ushtrimeve të kryhet para pasqyrës, edhe mjete ndihmëse janë :

Një  shkop, terabandë, shkallë suedeze, një jastëk.

Fillohet me ushtrime shtrirë, duke u munduar të rregullohet frymëmarrja.

Zgjatimet e muskulaturës së qafës janë shumë të rëndësishme.

Ka shumë ushtrime të cilat përqëndrohen në lëvizjen e duarve, për të fituar një zgjatje edhe relaksim të muskulaturës së muskujve pektorale edhe dorsale.

Shumë ushtrime zhvillohen mbi top, topi shërben si një pikë qëndrimi për të fituar ekuilibrin.

Kemi zgjatime pranë shkallës suedeze ku mund të ushtrohet edhe një farë presioni nga fizioterapisti në kurbaturë.

Gjithashtu edhe muskujt e gjymtyrëve të poshtëm janë shumë të rëndësishëm në zinxhirin e muskujve të prekur.

Pasi është arritur njëfarë ekuilibri, tentohet të tonifikojmë pak muskujt e shpinës, duke u ngritur në “katër këmbë’ edhe duke mbajtur ekilibrin me njërën dorë ngritur edhe këmbën e kahut të kundërt.

Përfundojmë terapinë përsëri me rekuperimin e frymëmarrjes.