Këshilla për mbrojtjen e zemrës

Zemra dhe truri janë organet më të rëndësishme dhe më të domosdoshme për jetë. Zakonisht thuhet se zemra është qendra e jetës, motor – lëvizës ose pompë që gjithë organizmin e furnizon me gjak të nevojshëm për jetë.

Lifestyle

07/01/2015 18:24

Duke marrë parasysh që mënyra e sotme e jetesës ndikon në dëmtimin e zemrës dhe numri i njerëzve që kanë probleme me zemër dhe enë të gjakut, kurrë nuk është e tepërt nëse ju shfaqim disa këshilla se si duhet ruajtur dhe mbrojtur zemrën.

Vitaminat dhe mineralet
Për ruajtjen e zemrës dhe sistemit kardiovaskular, në mes tjerash shumë të rëndësishëm janë: vitamina C, vitamina E, magnezi dhe koenzima Q10. Ju kujtojmë se magnez më së shumti ka në arra, badem, peshk, drithërat integrale dhe pemët me gjethe të gjelbër. Koenzima Q10 gjendet në mish dhe në ushqimin e detit.

Stresi
Stresi, pakënaqësia me jetën, lodhja kronike, obligimet dhe tendosja mendore – më së shumti dëmtojnë zemrën dhe enët e gjakut. Prandaj është shumë me rëndësi t’i shmangni situatat stresuese, të organizoheni më mirë në punë dhe të pushoni më shumë, transmeton Lajmi.net.

Cigarja
Cigarja dhe tymi i duhanit, janë ndër armiqtë numër një të sistemit kardiovaskular. Cigaret dhe tymi i duhanit shkatërrojnë vitaminën C, vitaminën E dhe koenzimën Q10, e me vetë këtë organizmi, mbetet pa antioksidues të mjaftueshëm, që janë të domosdoshëm për jetë të gjatë dhe të shëndoshë.

Shëtitja dhe rekreacioni
Shëtitja prej së paku 4 kilometra në ditë, apo cilido aktivitet i ngjashëm fizik, i shkojnë për shtati çdo organizmi dhe kontribuojnë pozitivisht në shëndetin e përgjithshëm.

Ushqimi i rregullt dhe i shëndoshë
Mënyra e rregullt e të ushqyerit sugjerohet për shëndet të mirë në përgjithësi, por më së shumti për zemër. Është e nevojshme të konsumohen sa më shumë shujta të lehta gjatë ditës, me sa më shumë pemë dhe perime në tryezën e bukës, e sa më pak yndyrë.

Vija vitale
Vija vitale është një parakusht për një jetë të shëndoshë, e kjo do të thotë që të mos teprohet me sasinë e ushqimit. Me kontrollimin e peshës dhe mbajtjen e një vije sa më vitale, zvogëlohet kolesteroli dhe mbrohen enët e gjakut, transmeton Lajmi.net.

Ftohja
Ndryshimet e mëdha në temperaturë, e sidomos ekspozimi në të ftohtë dëmtojnë zemrën dhe duhet shmangur. Mbani mend, gjithmonë duhet të visheni sipas kushteve atmosferike.

Frymëmarrje të rregullt
Frymëmarrjen e rregullt askush nuk na e mëson, e ajo është shumë e rëndësishme që gjaku të furnizohet me oksigjen të nevojshëm. Prandaj, duhet marrë frymë thellë dhe sa më shumë të qëndrohet në ajër të pastër, larg nga tymi dhe pluhuri.