Këshilla për gjumë të mirë

Mbathja e çorapëve gjatë gjumit mund të jetë e padëshirueshme për shumë njerëz, por ndikon që njeriu të flejë më mirë natën, thonë ekspertët.

Lifestyle

13/01/2017 01:40

Një raport i ri nga Këshilli Global për Shëndetin e Trurit ka theksuar rëndësinë e gjumit të mirë për një shëndet të mirë mendor më vonë në jetë.

Ekspertët kanë dhënë një listë këshillash për t’i ndihmuar personat mbi moshën 50-vjeçare të flejnë më shpejt dhe të shijojnë një gjumë të gjatë e të pandërprerë.

Ata këshillojnë mbathjen e çorapeve gjatë fjetjes, për të parandaluar zgjimin si pasojë e këmbëve të ftohura; mbajtjen e kafshëve shtëpiake jashtë dhomës së fjetjes; dhe shqyrtimin e ‘problemeve’ për 15 minuta para fjetjes, transmeton Gazeta Express.

Ekspertët po ashtu rekomandojnë shmangien e ushqimit, pijeve dhe alkoolit tri orë para gjumit; shmangien e argumenteve natën; mbajtjen e telefonave të mençur dhe të tabletëve jashtë dhomës së fjetjes; bërjen e një dushi të ngrohtë; dhe zëvendësimin e dritave të bardha apo të kaltra me një ndriçim më të butë.

Këshilli, i cili është themeluar nga dy shoqata – njëra britanike, e tjetra amerikane – ka këshilluar që të gjithë duhet të flenë ndërmjet shtatë dhe tetë orë çdo natë, por kanë paralajmëruar se fjetja bëhet më e vështirë me kalimin e viteve.

Sipas ekspertëve, mosfjetja e mjaftueshme për një periudhë të gjatë mund të rrisë rrezikun nga sulmi në zemër, mbipesha, diabeti dhe kanceri.