Kerry: Vuçiqi po e krijon Serbinë e re

SHBA mbështet kryeministrin Aleksandar Vuçiq i cili po e formon Serbinë e re, ka thënë Sekretari i Shtetit, John Kerry në Beograd gjatë takimit me Vuçiqin

Lajme

02/12/2015 19:29

“Po ju uroj, sepse ju po e çoni Serbinë në një rrugë të rëndësishme në definim të një Serbie të re dhe në rrugën Evropiane”, ka thënë Kerry.

Sipas tij, është shumë e rëndësishme që Vuçiq është i gatshëm për dialog me Kosovën.

Ai ka përshëndetur iniciativën e kryeministrit Serb për hyrjen në dialog me Qeverinë e Kosovës në mënyrë që e kaluara të mbetet në të kaluarën, raporton B92, transmeton lajmi.net

“Me anë të atij dialogu e kaluara duhet të lihet në të kaluarën dhe duhet ndihmuar që të definohet e ardhmja më e mirë për të gjithë njerëzit që jetojnë atje”, ka thënë Kerry më tutje.

Kerry ka folur edhe për interesin e përbashkët në luftën kundër ekstremizmit

“Kemi detyrë dhe përgjegjësi që të punojmë në mbrojtjen e vendeve tona, të bashkëpunojmë për paqe dhe të luftojmë për stabilitet dhe të ardhme demokratike të regjionit”, ka treguar Kerry.

Ndërkaq Vuçiq, ka thënë se ai u është mirënjohës SHBA-ve që mbështesin Serbinë në rrugën e saj drejt Evropës.

“Jemi mirënjohës për mbështetjen amerikane që i jep Serbisë në rrugën drejt Evropës dhe i falënderojmë për të gjitha raportet bilaterale të cilat po i përmirësojmë çdo ditë e më tepër”, ka thënë Vuçiq, përcjell lajmi.net

Më tutje ka Vuçiq ka thënë se ai personalisht dhe Serbia po lufton për të ardhmen stabile të rajonit.

“Konsiderojmë që ajo është njëra prej kushteve kryesore që kanë këto vende për integrim në Evropë”, ka thënë Vuçiq.

Ndryshe, Kerry sot ka qëndruar edhe në Prishtinë, ku ka pasur takim edhe me kryeministrin e Kosoves, Isa Mustafa./lajmi.net