Kerry i thotë stafit të Departamentit të Shtetit të bashkëpunojë me Trump

Sekretari i shtetit i SHBA-së, John Kerry, tha se u ka thënë zyrtarëve të Departamentit të Shtetit që të bashkëpunojnë plotësisht me administratën në ardhje të presidentit e zgjedhur.

Bota

10/11/2016 08:46

Pas fitores së Trump, ndaj të favorizuarës Hillary Clinton, Kerry tha se stafi i Departamentit të Shtetit nuk duhet të humbas vizionin për çështjet e rëndësishme me të cilat përballet SHBA-ja gjithandej botës.

“Një nga gjërat e bukura të demokracisë – dhe ne veçanërisht krenohemi për këtë në SHBA – është se e kemi këtë bartje të mahnitshme paqësore të pushtetit”, tha Kerry para gazetarëve në Zelandën e Re.

“Dhe ne do të bëjmë çmos në fuqinë tonë, siç e kam udhëzuar edhe ekipin tonë, që të punojmë me administratën në ardhje plotësisht dhe në mënyrë sa më të hapur, të jemi në ndihmesë sa më shume të jetë e mundur, që bartja e pushtetit të bëhet në mënyrë të qetë”

Kerry ndodhet në Zelandën e Re në një udhëtim për në Antarktikë ku do të vizitojë parkun më të madh detar në Detin Ros, që u krijua me një marrëveshje muajin e kaluar.