Kerry- Rama për armët e Sirisë

Ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, tha sot se Tirana nuk ka ende një vendim në kërkesën për shkatërrimin e armëve siriane në territorin e Shqipërisë.

Lajme

08/11/2013 16:00

Kontaktet e Qeverisë amerikane me atë shqiptare për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë kanë avancuar.

Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry ka telefonuar një ditë me parë Kryeministrin Edi Rama për këtë çështje, konfirmoi ministri i Jashtëm Ditmir Bushati.

“Të enjten, Kryeministri i Shqipërisë ka pasur një bisedë të gjatë telefonike me Sekretarin Amerikan të Shtetit John Kerry për çështje që kanë të bëjnë me sigurinë, për elementët që kanë të bëjnë me kryerjen se si mund të shërbejnë aleatë të ndryshëm në këtë proces, në mënyrë që të përmbushet objektivi”, tha Bushati.

Ne këtë sqarim të parë të gjatë të Qeverisë shqiptare për mundësinë e shkatërrimit të armëve kimike siriane në territorin shqiptar, në Komisionin e Jashtëm shefi i diplomacisë shqiptare dha një panoramë të detajuar të situatës.

“Në sintoni të plotë me aleatët amerikanë dhe europianë, jemi një ndër vendet, të cilët jemi kontaktuar për të parë mundësinë se ku mund të kontribuojmë, si mund të kontribuojmë dhe çfarë mund të kontribuojmë në këtë operacion. Nuk kemi një vendimmarrje, nuk kemi hyrë në çështje teknike dhe nuk ka nisur një proces konsultimi. Jemi në këtë lloj fazë, nuk ka vend për alarm dhe nuk ka vend për të folur për legjislacion apo për konventa, sepse nuk dihet ende në rast se do të shkojmë në këtë proces”, u shpreh Bushati.

Ndërsa në Tiranë kanë nisur reagimet e opinionit publik dhe politik që kundështojnë asgjësiminin e mundshëm të armëve kimike siriane në vendin tonë, sqarimi i ministrit te Jashtëm la të kuptohej se shqetësimi është i parakohshëm. Ai argumentoi se as vetë klubi i vendeve transaltantike nuk ka një panoramë të qartë sesi do të veprohet me armët në Siri, pasi çështja është komplekse.

“Përsa i përket kontakteve që aleatët kanë ndërmarrë me ne, për ne si Qeveri e Republikës së Shqipërisë është krenari që të paktën jemi pjesë e konsultave apo kontakteve për një kontribut të mundshëm që nuk është ende as i vendosur, as i ravijëzuar dhe as i konkretizuar se kush do të bëjë çfarë”, tha Bushati.

Ministri Bushati i bëri thirrje veçanërisht politikanëve të jenë të kujdesshëm me amplikimin e kësaj çështjeje. (Top Channel)