Kerry: E turpshme tërheqja e SHBA-ve nga marrëveshja për klimë

Ish-sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry tha se ishte e turpshme tërheqja e vendit të tij nga Marrëveshja e Parisit për Klimën. Ai tha se nga kjo marrëveshje nuk është tërhequr populli amerikan por Presidenti Donald Trump.

Bota

12/12/2017 22:43

Në një deklaratë për mediat në Samitin “Një Planet” të mbajtur në Paris të Francës, Kerry tha se “Nëse vërehet nga shkenca, kuptimi dhe punimet e zhvilluara kjo është një turp për SHBA-të. Marrëveshja e Parisit për Klimën nuk është një marrëveshje një vjeçare, por rezultat i një studimi 26-vjeçar, por kjo u diskreditua nga njerëz që nuk e kuptojnë shkencën”.

Kerry ka shtuar gjithashtu se nga kjo marrëveshje nuk është tërhequr populli amerikan por Trump, dhe ka kritikuar më tej dërgimin e vetëm të një përfaqësuesi nga SHBA-të në këtë Samit.

Presidenti amerikan Trump nuk ishte ftuar në përvjetorin e dytë të Marrëveshjes së Parisit për Klimën.

Në Samitin e organizuar nga Franca, Kombet e Bashkuara dhe Banka Botërore, marrin pjesë krerët e përfaqësuesve të shteteve dhe qeverive si dhe përfaqësues nga rreth 100 vende.