Kërpudhat: 5 racione në ditë kundër Alzheimerit

Në studimin e zhvilluar nga profesorët e Universitetit Shtetëror të Pensilvanisë, rezulton se prania e dy antioksidantëve në kërpudha, lufton radikalet e lira, të cilat janë përgjegjëse për plakjen qelizore dhe zhvillimin e shumë sëmundjeve neurodegjenerative dhe sëmundjet kardiovaskulare

Lifestyle

04/12/2017 07:43

Falë pranisë së madhe të antioksidantëve në këtë perim, sidomos te lloji i kërpudhave porçini, mund të parandalohen apo vonohen sëmundjet neurodegjenerative si demenca.

Ndonjëherë ushqimi i duhur bën ndryshimin. Vjeshta është stina e duhur pikërisht për të konsumuar produkte ushqimore të shëndetshme, transmeton Mapo.al.

Fjala është për kërpudhat, të cilat sipas studimit të publikuar së fundmi nga Universiteti Shtetëror i Pensilvanisë, 5 racione në ditë me kërpudha ngadalëson dëmet neurologjike te të moshuarit, veçanërisht demencën dhe sëmundjet kardiologjike.

Studimi

Në studimin e zhvilluar nga profesorët e Universitetit Shtetëror të Pensilvanisë, rezulton se prania e dy antioksidantëve në kërpudha, lufton radikalet e lira. Kur ne ushqehemi, trupi ynë përdor ushqimin për të prodhuar energji. Gjatë këtij procesi prodhohen disa elemente kimike të ashtuquajtura radikale të lira. Këto të fundit mund të kenë efekte negative në organizmin tonë duke shkaktuar plakjen qelizore, kancer, sëmundje kardiovaskulare dhe Alzheimer.

Për të shmangur këtë proces që ndodh brenda trupit tonë është e rëndësishme të konsumojmë ushqime me përmbajtje të lartë substancash antioksidante: të cilat mund të zhvillojnë një rol mbrojtës përballë sëmundjeve neurodegjenerative dhe sëmundjet kardiovaskulare. Studimi evidenton vlerat e shumta ushqyese të kërpudhave të llojit porçini, të cilat rinojnë trupin.

Kjo shpjegon akoma më shumë faktin se përse vendi si Italia dhe Franca kanë më pak raste pacientësh me demencë. Në të vërtetë studiuesit e Universitetit të Malajas, në Malajzi zbuluan fakte interesante lidhur me dobitë shëndetësore të kërpudhave në trupin tonë. Ky perim ka antioksidantë të fuqishëm të cilët kanë veprim antikancer, anti-inflator, mbrojnë imunitetin dhe veprojnë kundra mikrobeve. Duke patur parasysh të dhëna të tilla, i vihet theksi akoma më shumë rëndësisë që ka ushqimi i mirë dhe i shëndetshëm mbi organizmin tonë, veçanërisht në luftën kundër disa patologjive, sikurse janë demenca dhe Alzheimeri.

Antioksidantët

Antioksidantët, secili në mënyrën e vet, ndihmojnë për të neutralizuar radikalet e lira të tepërta në trup. Një dozë e mirë antioksidantësh bllokon prodhimin e radikaleve të lira, për të parandaluar plakjen e parakohshme të qelizave dhe për të nxitur procesin e rigjenerimit natyror. Por jo vetëm kaq! Në fakt, të parandalohen radikalet e lira do të thotë edhe luftë kundër stresit, ruajtje e shikimit, mbrojtje kundër ndotjes dhe gjithashtu, parandalim i zhvillimit të sëmundjeve të caktuara të tilla, si: kanceri, diabeti, sëmundjet kardiovaskulare dhe neurodegjenerative.

Kërpudhat

Kërpudhat kanë efekte pozitive në organizmin tuaj, janë të mbushura me lëndë ushqyese. Është provuar se kërpudhat pakësojnë rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve të zemrës. Një rënie 70% në rrezikun e krijimit të sëmundjes “Alzheimer”, kjo është vërejtur te njerëz të cilët konsumojnë kërpudha. Fibrat dietike vijnë në sasi të mëdha te kërpudhat. Këto fibra luajnë një rol të rëndësishëm në mbajtjen e rolit dhe funksionimit të zemrës. Ata i japin sistemit imunitar një nxitje të qëndrueshme. Kur kërpudha konsumohet çdo ditë, rreziku i kancerit ulet për të paktën 64%.

Sëmundja

Sëmundja e Alzheimerit është shkaku më i shpeshtë i demencës dhe një nga burimet kryesore të vdekshmërisë në popullatën e moshuar. Në të gjithë botën numërohen 47 milionë njerëz të prekur nga demenca. Me rritjen e jetëgjatësisë po shtohet ndjeshëm numri i pacientëve me demencë. Që të dyshosh se je i sëmurë me Alzheimer mjaftojnë të dhënat klinike, në të paktën një nga fushat e mëposhtme: të mësuarit dhe kujtesa, gjuha, funksionet ekzekutive, vëmendja, funksionet motore dhe perceptuese. Humbja e funksionit vlerësohet duke u krahasuar me gjendjen paraardhëse të individit dhe deficitet konjitive duhet të ndikojnë në jetën e përditshme të tij. Ka dhe disa forma më të rralla të Alzheimerit, si: paraliza supranukleare progresive, sëmundja e Huntingtonit, demenca e lidhur me abuzimin nga alkooli etj. Pjesa më e madhe e pacientëve nuk paraqiten në spital për çrregullime të kujtesës, ndërkohë janë familjarët e tyre që detyrohen t’i sjellin për vlerësim si rrjedhojë e çrregullimeve të kujtesës. Alzheimeri duhet dalluar nga simptomat e humbjes se kujtesës apo çrregullime të sjelljes dhe të personalitetit, të cilat janë joprogresive ose të nxitura nga një sëmundje sistemike, medikamente, çrregullime psikiatrike, apo patologji organike të trurit. Çrregullimet e funksioneve të larta të trurit karakterizohen nga çrregullime të kujtesës, por që nuk ndikojnë në funksionimin normal. Këto subjekte kanë risk më të lartë të shfaqin demencë me kalimin e viteve. Vlerësimi i pacientëve me çrregullime të kujtesës, që mund të jetë një shenjë paralajmëruese për shfaqjen e demencës, nuk mund të bëhet në një seancë vlerësuese të vetme.

Sëmundja e Alzheimerit

Sëmundja e Alzheimerit dëmton trurin, duke rezultuar në dëmtim të kujtesës, të të menduarit dhe të sjelljes
Faktori më i madh i rrezikut për Alzheimer është mosha e madhe, ku tre në dhjetë individë mbi 85 vjeç diagnostikohen me demencë
Në raste sporadike, Alzheimeri mund të prekë individë në çfarëdo moshe
Zakonisht shfaqet në moshën mbi 65 vjeç
Në rang global, janë afërsisht 44 milionë individë me Alzheimer apo forma të tjera të demencës
Vetëm 1 në 4 individë me Alzheimer është i diagnostikuar për këtë problem
Alzheimeri dhe demancat e tjera janë më të përhapura në Europë, ndjekur nga Amerika e Veriut
Alzheimeri është më pak i përhapur në Afrikën Sub-Sahariane
Alzheimeri dhe demencat e tjera janë shkaku kryesor për paaftësi në moshën e tretë
Dy në tre individë me Alzheimer janë femra
30% e individëve me Alzheimer kanë gjithashtu sëmundje të zemrës dhe 29% kanë edhe diabet
Më shumë se 40% e familjarëve të individëve me Alzheimer raportojnë se stresi emocional që ata përjetojnë në rolin e tyre është shumë i lartë
Individët me Alzheimer hospitalizohen tri herë më shpesh sesa moshatarët e tyre pa këtë problem
Familjarët e individëve me Alzheimer raportojnë se, që nga momenti që i afërmi i tyre diagnostikohet me Alzheimer, ata duhet të kujdesen akoma më shumë për shëndetin e tyre në mënyrë që të jenë në gjendje të ofrojnë përkujdesje për individët me Alzheimer