Kërkon veshkën e të birit, dyshon se ia morën gjatë operacionit

Murat Salihu nga Vushtrria kërkon veshkën e majtë të djalit të tij. Ai dyshon se dikush ia mori djalit të tij veshkën, gjatë një operacioni të rënd gjatë vitit 2011.

Lajme

03/08/2014 20:54

I ati i Fetah Salihut, Murati, dyshon në Lutfi Dervishin, mjekun që është akuzuar në rastin “Medicus”.

“Në 2013-tën na ka ardhë rasti që nuk e ka veshkën e majtë. Atëherë ne e kemi lypë ku ka mbet kjo veshkë. Ju kemi besuar mjekëve të shtetit tonë, po nëse ndodhë kështu në spital të shtetit, çka ndodhë në ato private”, ka thënë Murat Salihu për KTV-në.

“Dyshoj në Lutfi Dervishin dhe ekipin e tij”, ka thënë ai.

Por Lutfi Dervishi, i kontaktuar nga KTV, ka mohuar këtë rast duke thënë se ka qenë vetëm konsultues në këtë rast.

Salihu i ishte nënshtruar në vitin 2011 një operacioni mjaft të komplikuar, për shkak të një aksidenti. Tani familja e tij, po kërkon drejtësi edhe nëpërmjet EULEX-it.