Kërkon trofe me Manchester Unitedin

Juan Mata thotë se Manchester United mund të luftojë për trofe sezonin e ardhshëm, pasi e kaloi një edicion dështues. Mesfushori spanjoll është i kënaqur me ato që bëri gjatë pesë muajve në Old Trafford.

Sport

12/05/2014 15:15

Juan Mata beson se Manchester United do ta lë prapa krahëve sezonin zhgënjyes, për të luftuar për trofe sezonin e ardhshëm.

Dështimi këtë edicion i kushtoi menaxherit David Moyes me shkarkim muajin e kaluar, ndërsa ekipin e mori në dorë përkohësisht Ryan Giggs, që e la ekipin ën pozitën e shtatë, pa pjesëmarrje në futbollin evropian sezonin e ardhshëm, për herë të parë pas 25 vjetësh.

Mata arriti në Old Trafford nga Chelsea në janar dhe bëri 15 paraqitje në Premierligë, duke realizuar gjashtë gola, por nuk mundi të bënte diçka më shumë.

“Personalisht, jam mjaft i lumtur, sepse kam luajtur shumë ndeshje, kam realizuar gjashtë gola dhe kam dhënë pesë asistime. Për këtë, jam i kënaqur me punën time”, deklaroi mesfushori spanjoll për televizioni e klubit, MUTV.

“Por, është e qartë se doja të fitonim më shumë ndeshje. I humbëm ndeshjet ku nuk luajtëm dhe aq mirë, kështu që nuk jam i kënaqur me këtë. Do të vazhdoj të luftoj për tituj”, shtoi ai.

“Po mendoj për sezonin tjetër, të shoh se si mund të luaj dhe se sa mund të bëhemi ne më të fortë. Gjëja më e mirë për ta bërë është të kthehemi dhe të fitojmë trofe. Këtë do të mundohemi ta bëjmë sezonin tjetër”, përfundoi Mata.