Kërkon siguri për 17 nëntor

Krstimir Pantic ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të sigurojë qytetarët serbë në pjesëmarrjen në rivotimet e 17 nëntorit. Ai fajëson partinë e Koshtunicës për organizim të grupeve për të penguar pjesëmarrjen në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Lajme

09/11/2013 11:23

Kandidati për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut nga “Lista Serbe”, Krstimir Pantic pret që komuniteti ndërkombëtar të krijojë kushte për organizimin e rivotimeve më 17 nëntor, në mënyrë që qytetarët të votojnë lirshëm dhe pa frikë.

Në një intervistë për televizionin serb Pink, Pantic ka ftuar një pjesëmarrje sa më masive të serbëve në zgjedhje.

“Përderisa komuniteti ndërkombëtar kryen detyrat e tyre, jam i sigurt që rivotimi i 17 nëntorit do të kryhet suksesshëm dhe se nuk do të ketë përsëritje të zgjedhjeve”.

“Një numër i konsiderueshëm i qytetarëve kanë shprehur gatishmëri që të votojnë, por janë penguar nga torturat e pjesëtarëve të Partisë Demokratike të Serbisë dhe organizatave të ndryshme”.

Pantic ka thënë se grupet që kanë organizuar sulmet në qendra të votimit, janë pjesëtarë të Partisë Demokratike të Serbisë (DSS), të Lëvizjes “Obraz” me bazë në Veri të Mitrovicës dhe disa organizata nga Valeva.

Ai ka bërë të ditur se anëtarë të DSS’së së Vojislav Kostunicës u kanë dhënë instruksione pjesëtarëve të tyre që të dalin dhe të pengojnë qytetarët.