Kërkon ndihmë nga BE për zgjedhjet

Sipas Presidentit të Serbisë, Prishtina po shkakton probleme në organizimin e zgjedhjeve. Beogradi dëshiron që institucionet e Serbisë në Kosovë të mos trajtohen si institucione paralele.

Lajme

28/09/2013 08:40

Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolic ka thënë se Prishtina është duke shkaktuar probleme në organizimin e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit ndërsa i bëri thirrje Bashkimit Europian që të garantojë se këto zgjedhje do të jenë të rregullta dhe fer.

Në një intervistë për Wall Street Journal, Nikolic tha se qeveria në Beograd po u bën thirrje serbëve të Kosovës të dalin në zgjedhje sepse ajo dëshiron që t’i japë atyre legalitetin e duhur kur të diskutohen problemet e tyre me BE’në, komunitetin ndërkombëtar dhe Prishtinën.

Beogradi dëshiron që institucionet e Serbisë në Kosovë të ndalen së trajtuari si institucione paralele dhe të fillojnë të shihen si institucione të zgjedhura në vijë me rregullat e BE’së.

“Mendoj se kjo është mënyra e vetme për t’i mbrojtur plotësisht serbët e Kosovës, për t’i integruar ata në sistem, pasi që ne jemi duke folur në terma të Kushtetutës së Serbisë dhe autonomisë esenciale për Kosovën dhe Metohinë, siç parashihet me Kushtetutën e Serbisë dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB’së”, ka thënë Presidenti serb.

“Por administrata e Prishtinës po shkakton probleme në organizimin e zgjedhjeve”, shtoi ai duke përmendur ndryshimin e emërtimit të një liste kandidatësh e cila nuk u lejua nga KQZ që ta bartë emrin “Srbija”.

Nikolic shpjegoi se listës së bashkuar serbe nuk i është dhënë e drejta për të pasur anëtarin e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Prishtinë apo në komisione zgjedhore nëpër komuna prandaj, sipas tij, ajo nuk do të jetë në gjendje ta përcaktojë rregullsinë e këtyre zgjedhjeve.

Ai tha se deri më tani, rreth 40 mijë votues janë regjistruar në Serbi dhe KQZ e Kosovës ka rishikuar rreth 11 mijë aplikacione dhe ka pranuar si të vlefshme vetëm rreth 200 prej tyre.