Kërkojnë vizita të ministrave serbë

Rreth 2 mijë serbë nga Kosova protestuan në Beograd duke kërkuar nga ministrat e Qeverisë së Serbisë që ta vizitojnë Kosovën. Ata shprehën indinjatë edhe ndaj deklaratave të kryeministrit turk.

Lajme

25/10/2013 15:42

Serbë nga Kosova kanë rrethuar ndërtesën e Qeverisë së Serbisë në Beograd duke protestuar për ndalesat që po i bëhen zyrtarëve serbë për të vizituar Kosovën.

Rreth orës 1 të pasdites, 10 autobusë me serbë nga Veriu i Kosovës kanë zbarkuar në Beograd të pajisur me flamuj dhe me parulla ku shkruante emri i zv. Kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vucic dhe Ministrit serb për Kosovë Aleksandar Vulin, raporton agjencia serbe Tanjug.

Protestuesve i është drejtuar ministri Aleksandar Vulin.

Shefi i të ashtuquajturit Qarkut të Kosovës, Vladeta Kostic ka thënë për Tanjug se ky grup i serbëve është duke protestuar kundër vendimit të Prishtinës për ndalesat ndaj zyrtarëve të lartë serbë dhe për deklaratat e kryeministrit turk Recep Tayyip Erdogan se “Kosova është Turqi”.

“Kemi ardhur të kërkojmë nga ministrat tonë që të kthehen në Kosovës dhe nuk do të heqim dorë nga kërkesat tona”, ka thënë Kostic.

Ai ka shtuar se kërkesë tjetër e këtij grupi është që Qeveria e Serbisë të përkrahë listën “Iniciativa Qytetare Serbe”, që sipas Kostic është e vetmja forcë politike që i përkrahë serbët e Kosovës.