Kërkojnë pjesëmarrje në Qeveri

Deputeti Riza Halimi shpreson se pas zgjedhjeve të përgjithshme në Serbi, shqiptarët do të kenë përfaqësuesit e tyre në organet qeverisëse. Kritikon qeverisjen aktuale se nuk po bën asgjë për përmirësimin e kushteve për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Lajme

03/02/2014 19:16

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Riza Halimi, shpreson që pas zgjedhjeve parlamentare, shqiptarët do të kenë edhe përfaqësuesin e tyre në organet qeverisëse.

Në një intervistë për emisionin “Lirshëm Serbisht” në rrjetin televizioneve serbe në Kosovë, ai ka thënë se serbët në Kosovë kanë më shumë të drejta se shqiptarët në Serbi, duke marrë shembull edhe vendet e garantuara për serbët në Kuvendin e Kosovës.

Halimi ka thënë se ka mundësi që të ndodhë një pajtim historik në mes të shqiptarëve dhe serbëve, por, sipas tij, për këtë nevojitet kohë.

“Për t’u arritur kjo nevojitet kohë dhe hapat e parë që duhet të ndërmerren për pajtim janë zgjidhja e çështjes së kidnapimeve dhe personave të humbur”.

Ai ka thënë se problemet kryesore me të cilat po ballafaqohen banorët shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvexhë, është papunësia.

Deputeti shqiptar ka akuzuar mediat dhe Qeverinë se po mundohen të bëjnë lajm lidhur me situatën në Luginën e Preshevës, posaçërisht në fshatin Tërnoci i Madh.

“Për këtë vend thuhet se policia nuk mund të ketë qasje, se atje ekziston një fabrikë droge dhe se mund të gjendet drogë në çdo moment”.