Kërkojnë me ngulm nivelizim pagash

Mursel Zymberi nga sindikata e shërbyesve civilë, ka kërkuar me ngulm nivelizim të pagave meqë sipas tij rritja e pagave në prill të këtij viti diferencon dhe diskriminon shërbyesit civilë kundrejt punëtorëve tjerë.

Lajme

20/02/2014 17:03

Rritjen e pagave që e paralajmëroj dje kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi për muajin prill, jo të gjithë e presin duarhapur.

Kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civilë, Mursel Zymberi, thotë se kjo rritje i diferencon shërbyesit civilë që punojnë në sektorin publik.

E, për këtë, Zymberi tha në emisionin ‘InfoMagazinë’ të KlanKosova, se kjo sindikatë ka pritur dhe duruar mjaft.

“Gjithsesi ne nuk jemi kundër ngritjes së pagave. Ne jemi kundër diskriminimit në formën e pagesës çfarë ka ndodhur deri më tani”.

“Me ngritjen të cilën e ka paralajmëruar diferenca ndërmjet pagave do të thellohet edhe më shumë. Ne kemi njoftuar Qeverinë, dhe Qeveria është e vetëdijshme cila është pozita e shërbyesve civilë”.

“Vlera e koeficientit tek shërbyesit civil nga të tjerët është shumë e dallueshme. Niveli i koeficientit është 46 euro në shërbimin civil, në shëndetësi është në start 62 euro”.

“Në Kosovë në bazë të ligjit për shërbyes civil afërsisht 19 mijë shërbyes civilë i ka Kosova”.

Ai këmbëngul në mosdiskriminim ndaj këtyre punëtorëve, përderisa thotë se shërbyesit civil janë kontribuues madje shpeshherë edhe me pagë minimale.

“Ne thërrasim në mos diskriminim. Shërbyesit civilë e kanë dëshmuar veten se janë ata kontribuuesit më të mëdhenj shpeshherë edhe me një pagë minimale. Të jenë të barabartë me sektorë të tjerë kjo është imediate”.

“Shërbimi civil është shpirti i shtetit, nëse nuk kemi trajtim dinjitoz të shërbyesve civil ne nuk do të japim kontributin siç kemi dhënë deri më tani, do të shikojmë mënyra tjera të kësaj kërkese siç na lejon ligji”.

“Do t’i shfrytëzojmë çdo formë të mundshme ndërmjetësimi dhe paqësore”.

“Një pagë vjetore nga shërbyesi civil dallon deri në 2 mijë euro nga pagat tjera”.

“Puna që bëjnë shërbyesit civil, është punë intensive, dhe del një punues civil i atij sektori me një pagë 270 euro, a s’është kjo keq, më shumë se keq”, tha ai për KlanKosova.