Kërkohet unitet nga të gjitha partitë për vazhdimin e dialogut

Grupi për Studime Politike dhe Juridike ka vlerësuar se i gjithë spektri politik i përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës duhet të dakordohet me një platformë për dialogun dhe fazën finale të tij.

Lajme

12/11/2018 11:43

Sipas GLPS të gjitha partitë politike në Kosovë duhet të orientojnë politikën e tyre mbi një numër parimesh të cilat duhet të reflektojnë si pritjet minimale të Kosovës nga procesi i dialogut dhe vijat e kuqe mbi të cilat nuk mund të ketë negociim.

Përparim Kryeziu nga GLPS tha se ky grup e ka përcjell nga fillimi këtë dialog dhe vlerëson se duhet dakordim partiak dhe parimor për dialogun. Për këtë GLPS ka përgatitur një dokument me elementet që duhet të përmbajë një platformë dialogu, raporton “Zeri.info”.

“Ne si organizatë propozojmë që marrëveshja finale duhet të ketë njohjen juridike të plotë të Kosovës nga Serbisë bazuar tek parimet e kartës së Kombeve të Bashkuara. Shfuqizimin e rezolutës 1244, sepse çfarëdo rezultati që përfshin vazhdimin e ekzistencës së kësaj rezolute do të ishte në shpërputhje me shtetësinë e Kosovës. Transformimi apo ndryshimi i statusit juridik të KFOR-it në Kosovë, kështu KFOR të mbetet garantues final i sigurisë në Kosovë. Marrëveshja finale duhet të sigurojë që parimi i mospërzierjes së shteteve në punët të brendshme të shteteve tjera të përfillet”, tha Kryeziu.

Lekë Batalli nga kjo organizatë tha se duhet të ruhet integriteti territorial me çdo kusht. Ai shtoi se qëllim i këtyre propozimeve ka qenë ti ipet formë kërkesave nga procesi i dialogut.

Shpërndarja e këtij raporti që ka përgatitur ky grup ka filluar tu shpërndahet partive politike.