Kërkohet më shumë kohë për përkthimin e kontratave të TC ‘Kosova e Re’

Përkthyesit e kontratave të TC ‘Kosova e Re’ kanë kërkuar më shumë kohë për përkthimin e tyre në gjuhën shqipe për shkak të gjuhës teknike dhe specifike.

Lajme

06/06/2018 17:06

“Duke qenë se janë 8 kontrata komerciale me një numër të konsiderueshëm të faqeve, kur duhet të cekim se gjuha e kontratave është shumë teknike dhe specifike, përkthyesit e angazhuar nga MZHE kanë kërkuar kohë shtesë në mënyrë që përkthimi të bëhet sa më profesional dhe duke i qëndruar besnik versionit origjinal”, thuhet në përgjigjen e MZhE-së për KALLXO.com.

Kontratat fillimisht janë punuar dhe janë nënshkruar në gjuhën angleze për shkak se Qeveria e Republikës së Kosovës është pajtuar me investitorin amerikan ‘Contour Global’ që gjuha e kontratave të jetë gjuha angleze.

Deri tani është bërë përkthimi në gjuhën shqipe i vetëm njërës nga 8 kontratat komerciale të cilat janë të publikuara në faqen zyrtare të MZhE-së.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në një konferencë për shtyp me 22 janar, pas një takimi me Safet Gërxhaliun, kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës dhe disa prodhuesve vendorë, kishte thënë se përkthimi në gjuhën shqipe i kontratës për termocentralin ‘Kosova e Re’ ka filluar dhe pritet të kryhet brenda tre muajsh.

“Kontrata i ka 1000 faqe, përkthimi ka filluar, por do të zgjasë deri në 3 muaj, përkthimin po e bën zyra jonë, nuk besoj që ka një kosto të lartë”, ka potencuar ministri Lluka.

Më 22 prill janë bërë 3 muaj që nga premtimi publik i ministrit Lluka, por përkthimi i tetë marrëveshjeve të kontratës 1.3 miliard euro me ‘Contour Global’ ende nuk kishte përfunduar.

Zyra për Informim e ministrisë së Zhvillimit Ekonomik në muajin prill kanë thënë se procesi i përkthimit të tetë marrëveshjeve është duke u kryer me kujdes.

“Për shkak të volumit dhe kompleksitetit të marrëveshjeve, përkthyesit e kontraktuar nga MZHE kanë njoftuar se procesi i përkthimit është duke u kryer me kujdes”, thuhej në përgjigjet e MZHE-së.

Në përgjigje thuhej se përkthimi i dy marrëveshjeve të para do të përfundohej gjatë javës së parë të muajit maj (6 maj).

“Pastaj nga dy marrëveshje në fund të çdo jave pasuese”, ka deklaruar Zeqiri për KALLXO.com.

Nëse përkthimi i tetë marrëveshjeve do të shkonte sipas planit të MZhE-së dhe përkthimi i nga dy marrëveshjeve do të bëhet në çdo javë pasuese atëherë përkthimi do të duhej të përfundonte me 27 maj.

Deri më 6 maj, që ka qenë ditë e diel, do të përktheheshin dy marrëveshje, deri më 13 maj do të përktheheshin dy marrëveshje të tjera, deri më 20 maj do të bëhej përkthimi po ashtu edhe i dy marrëveshjeve. Përkthimi i dy marrëveshjeve të fundit sipas planit të MZhE-së pritej të bëhej deri më 27 maj.

Sipas kësaj llogaritje del se përkthimi i të gjitha marrëveshjeve të kontratës me ‘Contour Global’ do të zgjaste më shumë se katër muaj që nga premtimi i ministrit Valdrin Lluka.

Kontrata 1.3 miliard euro për ndërtimin e TC “Kosova e Re” është nënshkruar në një ceremoni zyrtare më 20 dhjetor të vitit 2017.

Marrëveshja për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” zyrtarisht u nënshkrua nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, Joseph Brandt, drejtori ekzekutiv i “Countur Global”, Arben Gjukaj nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), Kadri Kadriu nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Januz Kabashi, kryeshef ekzekutiv i Ndërmarrjes Ekonomike “Ibër-Lepenci”.

Tetë marrëveshjet e nënshkruara të projektit janë: Marrëveshja e implementimit (Kompania e gjenerimit); marrëveshja e implementimit (kompania e minierave); marrëveshja për blerje të energjisë (TCKR); marrëveshja për furnizim me linjit (Kosova A); Marrëveshja për furnizim me linjit (Kosova B TCKR); Marrëveshje shumëpalëshe për furnizim me linjit; Marrëveshja për furnizim me ujë; Marrëveshja për shërbimet ndihmëse (TCKR).

Këtu mund t’i shkarkoni dhe lexoni të gjitha kontratat e nënshkruara, të cilat janë në gjuhën angleze.

Pas nënshkrimit mbeten edhe tre hapa të tjerë të mëdhenj deri në vitin 2019 kur do të vihet gurthemeli i termocentralit “Kosova e Re”.

Këtë vit do të hapet tenderi për përzgjedhjen e kontraktuesit, në vitin 2019 do të bëhet përmbyllja financiare dhe do të fillojë ndërtimi i termocentralit.