Kërkohet lehtësim për votimin e mërgatës

Jeton Svirca ka kërkuar që për mërgatën të rezervohen disa vende në Kuvendin e Kosovës. Faton Topalli ka paraqitur propozimet e Lëvizjes Vetëvendosje, lidhur me mënyrën e lehtësimit të votimit të qytetarëve të Kosovës që jetojnë në diasporë.

Lajme

03/04/2014 12:17

Gjatë debatit në Kuvend për Ligjin e Zgjedhjeve të Përgjithshme, deputeti i Partisë së Drejtësisë, Jeton Svrica, ka kërkuar që në këtë ligj të parashihet që përfaqësuesve të mërgatës së Kosovës t’ju rezervohen disa ulëse në Kuvendin e Kosovës.

“Propozoj që ti rezervohen disa ulëse edhe mërgatës së Kosovës”.

“Po ashtu propozoj që për mërgatën të aplikohet edhe votimi për elektronik”.

Lidhur me mënyrën e votimit të mërgatës ka folur edhe deputeti Faton Topalli nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai ka paraqitur propozimet e subjektit të tij, lidhur me mënyrën se si do të bëhej lehtësimi i votimit të Diasporës.

“Deri më tani votuesit për t’u regjistruar kanë pasur mundësi të dërgojnë aplikacionet dhe dokumentet përmes: Postës, E-malit, Faksit. Pas regjistrimit kanë marr me postë konfirmimin e KQZ-së, më pas fletët e votimin dhe pastaj kanë votuar përmes postes, duke i bashkangjitur fletëvotimit edhe një kopje të një dokumenti valid”.

“Fakti që procedura e regjistrimit të votuesve jashtë vendit përfundon kaq shumë ditë para ditës së zgjedhjeve është edhe një arsye pse numri i votuesve është kaq i vogël”.

“Në shërbim të pjesëmarrjes më të gjerë të mërgimtarëve të Republikës së Kosovës në zgjedhje ne propozojmë që të zgjatet periudha e regjistrimit të shtetasve për të votuar jashtë vendit”.

“Në procesin e regjistrimit të përfshihen përfaqësitë diplomatike të vendit tonë duke ju mundësuar mërgimtarëve që përveç mundësisë së aplikimit përmes postës në KQZ, të kenë edhe mundësinë e regjistrimit direkt dhe personalisht në përfaqësitë e Republikës së Kosovës”.

“Ambasadat me vlerësimin e tyre dhe në bashkëpunim me organizatat e diasporës dhe në praninë e vëzhguesve të organizojnë aktivitete të veçanta për regjistrimin vullnetar të shtetasve jashtë Kosovës edhe në lokacione  tjera brenda të njëjtit shtet ku ato veprojnë”.

“Paralelisht me regjistrimin përmes postës dhe ambasadave, duhet të zhvillohet një aplikacion online, ku qytetarët me të drejtë vote të kenë mundësi të regjistrohen online si votues jashtë vendit, pa pasur nevojë që ata të aplikojnë duke dorëzuar aplikacionet për regjistrim në fahun postar të KQZ-së”.

“Karshi votimit përmes postës të aplikohet edhe votimi direkt në ambasada dhe përfaqësi të Republikës së Kosovës. Në ato vende ku nuk kemi prezencë diplomatike të shfrytëzohen ambasadat dhe përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë kurse në shtetet tjera ku nuk kemi mundësi të kemi qendër votimi atëherë shfrytëzohen qendrat e votimit të shtetit më të afërt ku kemi prezencë diplomatike”, ka thënë deputeti Faton Topalli.