Kërkohet heqja e plotë e barrierave tregtare Kosovë-Shqipëri

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovës, Qemal Minxhozi ka vizituar selinë e Aleancës Kosovare të Bizneseve, ku është biseduar për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve dhe për eliminimin e barrierave, me të cilat përballen bizneset.

Lajme

04/08/2014 20:28

Agim Shahini, kryetari i AKB-së, tha se Kosova dhe Shqipëria viteve të fundit kanë intensifikuar bashkëpunimin me qëllim të zhvillimit më të hovshëm dhe tashmë të dy vendet kanë rritur këmbimet e ndërsjella.

“Sikur Kosova, po ashtu edhe Shqipëria janë bërë vende shumë atraktive për investitorët dhe qytetarët e tyre. Derisa më parë kosovarët shfrytëzonin portet e shteteve të tjera, tashmë portet shqiptare janë destinacionet kryesore për eksport dhe import të bizneseve nga Kosova”, tha Shahini.

“Dy vendet kanë bërë investime me vite të tëra për të zhvilluar ekonominë dhe, në anën tjetër, kanë eliminuar barriera të shumta, të cilat do të eliminohen dhe në të ardhmen. Kosova dhe Shqipëria duhet të krijojnë një treg të përbashkët dhe të fuqishëm”, tha Shahini. Ai shtoi se AKB dhe bizneset kërkojnë që të hiqen të gjitha barrierat me të cilat akoma po përballen bizneset.

Dhoma Kombëtare Tregtare, që përfshin të gjitha trevat shqiptare, siç tha ai, ka për mision promovimin e prodhimeve shqiptare dhe eliminimin e barrierave për prodhuesit shqiptarë. “Me konsumimin e prodhimeve shqiptare nuk do të ketë eksport parash dhe ato do të mbesin brenda kufijve shqiptarë”, u shpreh ai.

Ambasadori Minxhozi tha se do të bëhen hapa të mëtejme nga qeveritë e dy shteteve me qëllim të zhvillimit ekonomik. Kohëve të fundit ka pasur rezultate konkrete.

“Do të zhdukim kufijtë ekonomikë dhe ata në fushat e tjera. Në gjashtë muajt e fundit të këtij viti eksportet dhe importet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës janë rritur 22 për qind, por duhet të bëjmë edhe më shumë”, tha ai.

Edhe përfaqësues të bizneseve nga Kosova kërkuan që të ketë lehtësira më të mëdha, sidomos për prodhuesit, të cilët importojnë e eksportojnë nga Shqipëria.