Kërkohet fundi i Edi Ramës, në përvjetorin e rrëzimit të Enver Hoxhës

Lulzim Basha dhe Sali Berisha mblodhën sot simpatizuesit në sheshin kryesor të Tiranës për të protestuar kundër Kryeministrit shqiptar Edi Rama. Ky i fundit rreshtoi 50 police femra para selisë së kryeministrisë.

Lajme

20/02/2014 14:55

U zhvillua për rreth 90 minuta në Tiranë protesta e partive opozitare, nën drejtimin e Partisë Demokratike.

Tubuesit qe erdhën nga te gjitha rrethet, u mblodhën fillimisht ne sheshin “Skenderbej”, ku 23 vjet me pare u rrëzua shtatorja e diktatorit Hoxha e më pas marshuan drejt bulevardit.

Ne fjalën e tij, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u shpreh se vendi, nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit te Kuvendit Ilir Meta po shkon në drejtim të pasigurt.

“23 vjet më parë qytetarët e këtij vendi rrëzuan bustin e ish-diktatorit Hoxha duke shënuar një ditë të rëndësishme në historinë shqiptare. Sot vendi ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm pasi shohim se çfare po bën Qeveria Rama-Meta, që po shkatërron vlera të mëdha të këtij vendi”, u shpreh Basha.

 

Sipas Bashës, shteti ligjor, vota e lire, punësimi, aspirata europiane po dëmtohen nga Rama dhe Meta që po thyejnë ligjin dhe nuk po ndalen.

Policia e Shtetit përpara fillimit të protestës mori masa të forta sigurie, sidomos përgjate bulevardit ‘Deshmoret e Kombit’.

Rreth 50 police femra u rreshtuan në kordonin përpara Kryeministrisë, për të krijuar rrethin e parë të sigurisë, përpara godinës. Rrethi i dytë i sigurisë ishin forcat e rendit dhe të sigurisë publike në Komisariatet e Tiranës.

 

Pothuajse të gjitha efektivat e rendit, në komisariatet 1 dhe 4 patën pjesën më të madhe të kordonit të dytë. Të distancuar nga dy kordonet e sigurisë së Kryeministrisë ishin Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë që ishin në gatishmëri të ndonjë akti të dhunshëm të mundshëm, gjatë dhe pas protestës së opozitës.

Gjithashtu i gjithë efektivi i policisë rrugore në Tiranë është në gatishmëri për bllokimin e të gjitha rrugëve ndërlidhëse me bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ për ndalim qarkullimin e automjeteve deri në përfundimin e plotë të protestës dhe shpërndarjes së protestuesve, raporton Top Channel.