Kërkohet dorëheqja e rektorit Ibrahim Gashi

Nga Ibrahim Gashi është kërkuar dorëheqja për shkak se avancimi i tij akademik është bërë edhe mbi bazën se ka publikuar punime shkencore në një skemë të rreme ndërkombëtare. Por, ai ka mohuar që avancimi tij të jetë bërë mbi bazën e punimeve në fjalë.

Lajme

23/01/2014 08:19

Me dy kërkesa është përballur të mërkurën rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ibrahim Gashi. Jashtë Universitetit ia kanë kërkuar dorëheqjen rektorit Ibrahim Gashi, e brenda këtij institucioni është kërkuar që vetë t’i tërheqë tri “punime shkencore”, të cilat i ka publikuar në një revistë të rreme në Indi.

Nëse vendos të bëhet i dëgjueshëm, kjo do të ketë impakt edhe në titullin akademik që mban aktualisht, shkruan sot “Koha Ditore”.

Vitin e shkuar rektori është avancuar në gradën “Profesor i rregullt”, për të cilën Statuti kërkon që kandidati të ketë minimum pesë punime në revista me recension ndërkombëtar. Nga pesë që i ka prezantuar kur ka marrë gradën, tri janë të publikuara në Revistën Ndërkombëtare të Inxhinierisë dhe Shkencave Menaxhuese, me seli në Indi.

Rektorit të UP’së, Ibrahim Gashi, po i kërkohet dorëheqja

Dukagjin Pupovci, ekspert i arsimit dhe ish-anëtar i Këshillit Drejtues të UP’së, ka thënë se dorëheqja është zgjidhje e vetme për Gashin.

“Unë do të kisha dhënë dorëheqjen po të isha në pozitën e prof.Gashit. Mbase në këtë moment dorëheqja do të prodhonte më shumë efekt negative sesa pozitive, por, pa marrë parasysh këtë nuk do të kisha mundur të qëndroja në krye të Universitetit nëse kam publikuar, qoftë edhe nga mosdija, tri punime në revistën ku Filan Fisteku ia del të bëjë parodi duke shfrytëzuar një dokument aq të mirënjohur siç është ‘Manifesti’ i Marksit”.

Ndërkaq është Muharrem Nitaj, kryetar i Këshillit Drejtues të UP’së që ka kërkuar tërheqjen e punimeve të tilla, duke e quajtur këtë revistë “korruptime-shkencore”.

“Për punën shkencore dhe publikimet shkencore, Ibrahim Gashit mund t’i kërkojë llogari Senati i Universitetit dhe jo Këshilli Drejtues. Thashë, kjo deri në një shkallë ku nuk konsiderohet se ka pasur shkelje ligjore” ka thënë Nitaj.

Në anën tjetër, vetë rektori Gashi ka mohuar për “Kohën Ditore”, që avancimi i tij në titullin e “Profesorit të rregullt” është rezultat i punimeve të publikuara në revistën për të cilën ka raportuar gazeta.

“Pa dashur t’i bëj vetëvlerësim profilit tim shkencor, për hir të së vërtetës më duhet të vë në pah se unë jam autor i gjashtë librave shkencorë dhe universitarë, autor i më shumë se dhjetë punimeve dhe prezantimeve në konferenca shkencore ndërkombëtare. Po ashtu jam fitues i shumë granteve ndërkombëtare, përfshirë edhe programin Fulbright”.

“Ky sfond shkencor është mbuluar me një përvojë mbi 20 vjeçare si pedagog i rregullt në Universitetin e Prishtinës”, ka thënë Rektori Ibrahim Gashi për Koha Ditore.