Kërkohet bashkërendimi i aktiviteteve nga institucionet për transformimin e FSK-së

“Çka të bëjë Parlamenti për FSK-në”  është quajtur tryeza e sotme e organizuar nga Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë-SPRC dhe Komisioni parlamentar për punë të brendshme, siguri dhe mbikëqyrje të FSK-së.

Lajme

14/04/2017 16:24

Në këtë takim u tha se roli i Kuvendit të Kosovës dhe deptutetëve është i rëndësishëm në komunikimin me serbët e Kosovës, duke pasur paraysh po ashtu se roli i faktorit ndërkombëtar është domethënës, transmeton lajmi.net.

“Për procesin e transformimit të FSK-së në Ushtri të Kosovës duhet vazhduar me përpjekjet e të gjitha institucioneve në mënyrë të përbashkët, bashkërendimi i aktiviteteve deri në detaje, angazhimi i përbashkët me faktorin ndërkombëtar, si dhe shtjerrja e mundësive në komunikim të drejtpërdrejtë me komunitetin serb në Kosovë” thuhet në komunikatën e lëshuar nga SPRC.

Në këtë Tryezë kanë marrë pjesë Kryetari dhe anëtarët e Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, deputetë tjerë të kuvendit të Kosovës, Zëvëndës-ministri i FSK, Muhamet Latifi, përfaqësues të lartë të FSK-së, këshilltarë të presidentit të Kosovës, ekspertë dhe aktivistë të shoqërisë civile, përfaqësues të misioneve diplomatike.

Gjatë Tryezës u theksua se mënyra më e mirë e transformimit të FSK-së është përmes ndryshimeve kushtetuese dhe për këtë qëllim duhet bashkërenduar aktivitetet me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që të binden përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë që të votojnë për ndryshimet kushtetuese. /Lajmi.net/