Kërkohet armëpushim në Gaza

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, i ka thënë kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, se sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, do të udhëtojë së shpejti në Kajro, për të kërkuar ndërprerjen e luftimeve në Rripin e Gazës midis izraelitëve dhe palestinezëve.

Bota

21/07/2014 13:44

Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë nuk saktësohet se kur do të ndodhë udhëtimi.

Sipas transkriptit të bisedës, Obama ka shprehur shqetësime serioze për rritjen e numrit të viktimave, përfshirë vdekjet e civilëve palestinezë dhe humbjen e ushtarëve izraelitë, raporton RFE.

Biseda ka qenë e dyta në tre ditë midis Obamës dhe Netanyahut.

Edhe Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka shprehur shqetësim për rritjen e numrit të viktimave në Rripin e Gazës dhe ka bërë thirrje për fund të armiqësive.

Takimi urgjent është mbajtur pasi sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, ka thënë se vrasja e palestinezëve nga sulmet izraelite është “veprim mizor”.

Duke folur në Katar, Ban po ashtu ka kërkuar ndalimin e menjëhershëm të luftimeve që kanë marrë mbi 400 jetë njerëzish.

Mbi 60 palestinezë dhe 13 ushtarë izraelitë janë vrarë të dielën, ditën më të përgjakshme në ofensivën 13-ditëshe.