Kërkesat e opozitës dhe kriza si mundësi për të vepruar në interes të vendit

Kriza politike në Shqipëri sa vjen e po thellohet dhe afrimi i zgjedhjeve lokale të parakohshme në Kavajë bashkë me kërcënimet e opozitës për bllokim paralajmërojnë një përshkallëzim të tensionit politik në vend. Nëpërmjet kërcënimit të bojkotit opozita ka krijuar një momentum politik, një fuqi negociuese të konsiderueshme përkundrejt mazhorancës.

Lajme

26/04/2017 12:52

Nëqoftëse opozita e shfrytëzon këtë aset me maturi dhe largpamësi  duke bërë kërkesa teknike, konkrete e të arsyeshme për procesin zgjedhor, atëherë kjo krizë mund të kurorëzohej në përfitime të jashtëzakonshme jo vetëm për opozitën por edhe për vendin. Pra për hir të të mirës së vendit, nga opozita pritet në këtë moment që ta shfrytëzoj momentumin e krijuar prej çadrës dhe kërcënimit me bojkot, për të sjellë ndryshime që nuk kanë leverdi ekskluzivisht për PD-në dhe liderin e saj, por për mbarë vendin. Këto ndryshime nuk kërkojnë një qeveri teknike por një qeverisje teknike të zgjedhjeve dhe një sistem zgjedhor me kodin përkatës që garanton integritet dhe kushte të barabarta për të gjithë kandidatët që garojnë.

Të dy palët janë të barrikaduar në pozicione konfliktuale e të papajtueshme që e bëjnë të vështirë ndërtimin e një ure komunikimi mes tyre. Për të funksionuar negociata, duhet që palët të përqendrohen tek përmbushja e interesave e jo tek pozicionet kokëforte. Interesat janë ato që motivojnë njerëzit; ato janë shtytësit e heshtur prapa zhurmës së madhe të pozicioneve. Pozicioni juaj është diçka për të cilën është vendosur por edhe mund të ndryshohet në varësi të interesave. Pra tani që kanë ardhur negociatorët e huaj është momenti që opozita të dëshmojë se është duke mbrojtur interesa të sinqertë e të ndershme në të mirë të vendit siç është integriteti i proceseve zgjedhore dhe jo interesa meskinë si mbijetesa politike e ndonjë lideri apo shmangia e përgjegjësive ligjore të ndonjë zyrtari të lartë.

Pozicioni kryesore i opozitës deri më sot ka qenë kushti i formimit të një qeverie teknike me justifikimin se kjo gjë është e domosdoshme për të realizuar zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri. Argumenti ku opozita mbështet këtë kërkesë është bindja se vetëm me një qeveri teknike me figura jo të spikatura politike dhe me pjesëmarrje të gjerë politike ku përfshihet edhe opozita, do mund të organizohen zgjedhje të pranueshme. Evidenca kryesore ku mbështetet është pretendimi se ka pasur një super prodhim të kanabisit në vend që ka sjellë në forcimin e rrjeteve kriminale të prodhimit dhe tregtimit të hashashit që  në këmbim të imunitetit nga organet e rendit dhe ligjit janë shndërruar në instrumente elektorale në dorë të mazhorancës që i ka toleruar.

Dihet mirë që të qenurit në pushtet jep një epërsi për të rifituar pushtetin pasi mjetet elektorale në dorë të mazhorancës janë të shumta.  Qeveritarët kanë në dorë infrastrukturën e institucioneve publike, makinat stafin e shumë më tepër, për t’i përdorur në fushatë. Tanimë është bërë modë e traditë në Shqipëri që të kemi investime elektorale infrastrukturore pak para zgjedhjeve enkas për të shtuar votat. Patronazhi që qeveria bën për të shtuar votat mund të bëhet në formën e punësimeve apo subvencioneve të bëra në këmbim të mbështetjes  me vota. Po ashtu patronazhi shpesh konsiston në dhënie licencash, në dhënie shërbimesh publike si për shembull certifikatat e legalizimit në periudhë fushatash, në tolerimin e shkeljeve të ndryshme ligjore, në inkurajimin e ndërtimeve pa leje etj etj. Qeveritë në Shqipëri pa dallim ngjyre politike, kanë bërë edhe akte më të ulta si nxjerrja nga burgu  të kriminelëve famëkeq apo bërja e aleancave më ta për të bërë presion në zonat e tyre të influencës në favor të njërës apo tjetrës parti.

Kuptohet që opozita ka leverdi domethënëse të dyfishtë duke kërkuar qeveri teknike sepse ia minimizon ose pamundëson këto avantazhe të krahasuara të mazhorancës si dhe krijon një imazh fitimtare para zgjedhjeve. Pra duke korrur një fitore politike pa shkuar ende në zgjedhje projekton një imazh disfatiste para elektoratit për kundërshtarin politik. Kërkesa e opozitës shqiptare për shkuarjen në zgjedhje me një qeveri teknike nuk është pa precedent, dhe ngjan shumë me kërkesën që bëri opozita maqedonase pas krizës së tejzgjatur politike në vendin fqinj. Në Maqedoni nxjerrja e të ashtuquajturave bomba, që ishin  përgjime telefonike që demaskuan një sistem të kapjes së shtetit e futi vendin në një krizë të thellë. Opozita shkoi në zgjedhje vetëm pasi u sigurua për largimin e Gruevskit dhe formimin e një qeverie teknike. Ngjashëm për opozitën shqiptare, kanabizimi i vendit dhe kriminalizimi i elitës politike po përdoret si argument për të justifikuar rrëzimin e qeverisë aktuale politike dhe formimin e një qeverie teknike për të shkuar drejt zgjedhjeve. E vërteta në Maqedoni është se pavarësisht qeverisë teknike, prapëseprapë VMRO-DPMNE-ja i fitoi zgjedhjet dhe mori shumicën në votimin e dhjetorit të vitit të kaluar.

Po ashtu edhe shtyrja e zgjedhjeve nuk është ndonjë anomali e jashtëzakonshme për vendet në tranzicion si yni. Diçka e ngjashme ka ndodhur në fund të vitit 2006 kur lideri i partisë sociale çoi në shtyrjen e zgjedhjeve vendore që ishin përcaktuar për datën 20 janar 2017. Me kërcënimin e bojkotit opozita e asaj kohe ia doli të përmbushi kushtet që kishte vënë dhe zgjedhjet asokohe u mbajtën në 18 shkurt. Mirëpo në këto raste prapëseprapë duket se bëhet fjalë më shumë për ndjekjen e një interes të ngushtë partiak nga ana e opozitës se sa për synimin e interesit të gjerë publik patriotik për konsolidimin e pluralizmit e demokracisë në vend. Që opozita të korri një fitore moral, do të duhej që të kërkonte ndryshime  radikale që sjellin përmirësime rrënjësore institucionale në vend e jo epërsi të vogla taktike elektorale e afatshkurtra sikurse po duket se është kërkesa për qeveri teknike.

Konkretisht,  në kushtet aktuale,  ajo që i duhet më së shumti Shqipërisë nuk është një qeveri teknike pak para zgjedhjeve por një qeverisje teknike të zgjedhjeve. Hapi i parë në negociata nuk është fokusimi tek pozicionet por tek interesat, dhe nëse me të vërtetë interesi i opozitës janë zgjedhje të lira e të ndershme, atëherë ka ardhur koha që këtë momentum që ka krijuar, opozita ta shfrytëzojë për të kërkuar një reformë zgjedhore që i garanton këto zgjedhje. Pra, nëse me të vërtetë dhe sinqerisht opozita kërkon garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, atëherë hapi parë do të duhej të ishte depolitizimi i administrimit të procesit zgjedhor duke e bërë administratën sa më teknike. Kjo është një ndër rekomandimet kryesore nga OSBE ODIHR për të gjitha proceset zgjedhore që janë bërë në Shqipëri. Aktualisht procesi zgjedhor  nuk është teknik por është thellësisht politik sepse administrohet nga komisionerë dhe numërues që nuk janë profesionistë por militantë të partive. Administrimi i zgjedhjeve në Shqipëri ndryshe nga vendet demokratike nuk bëhet nën garancinë e ligjit por në garancinë e raporteve të forcës së përfaqësuesve politik që e administrojnë. Këtu lind nevoja e partive për të bërë aleanca me kriminelët për t’i përdorur si roje të procesit zgjedhor për njërën apo tjetrën parti. Pra për sa kohë të vazhdojë administrimi politik i procesit zgjedhor, partitë do të kenë nevojë për “të fortët” që kanë mjetet, rrjetin, përvojën dhe gatishmërinë për të përdorur dhunën, shantazhin apo kanosjen për të krijuar epërsi në komisionet zgjedhore.

Këtu duhet theksuar se kjo kërkesë do të ishte një akt i lartë moral nga Partia Demokratike e cila është e privilegjuar me administrimin aktual të politizuar të procesit zgjedhor dhe ka një avantazh përkundrejt partive të vogla të cilat nuk kanë përfaqësues as në KQZ e as në KZAZ dhe e kanë administrimin dhe numërimin e votave të tyre në mëshirë të komisionerëve dhe numëruesve të partive të mëdha. Është sekret publik tanimë që administruesit zgjedhorë të dërguar nga partitë e mëdha merren fare mirë vesh me njëri tjetrin për të vjedhur partitë e vogla që nuk kanë njerëz vendim-marrës në proces. Nëse PD nuk e bën këtë kërkesë  legjitime për integritetin e procesit zgjedhor atëherë kjo do të thotë se kjo parti vazhdon të veprojë me standarde të dyfishta duke ngritur zërin për të pamundësuar vjedhjen e votave të partive të mëdha por duke rezervuar të drejtën që të vjedhë votat e partive të vogla. Me pak fjalë hapi i parë i dekriminalizimit të vendit por edhe i një fitoreje morale të Partisë Demokratike do të ishte depolitizimi i procesit zgjedhor e jo depolitizimi i qeverisë.

Së dyti problemet kryesore në proceset e kaluara zgjedhore kanë qenë pikërisht në fazën e numërimit. Ndryshimet e bëra në rrjedhën e viteve kanë mundësuar zvogëlimin e mundësive për të manipuluar gjatë procesit të votimit dhe shumica e manipulimeve që janë pikasur  apo denoncuar janë bërë gjatë numërimit. Në memorien kolektive shqiptare ka mbetur të ngulitura pamjet e numërimit të tejzgjatur të njësisë 5 në Tiranë për zgjedhjet lokale të vitit 2011 apo tensionin e skajshëm në Fier gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009. Zvarritja e numërimit e përpjekjet për të bllokuar apo nxjerrë të pavlefshme kuti të caktuara ka  qenë një ndër taktikat më të përdorura për të deformuar rezultatin. Prandaj numërimi elektronik do të kontribuonte në zhvleftësimin e rolit të “mercenarëve kriminelë” në zgjedhje sepse do e automatizonte procesin. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 opozita socialiste këmbënguli për numërimin elektronik si një garantues të ndershmërisë elektorale prandaj do të ishte mirë që opozita aktuale ta ripërsëriste këtë kërkesë. Kjo do të thotë që nëse arrihet një kompromis për të shtyrë zgjedhjet me synimin e shtimit të garancive për integritetin e procesit zgjedhor, atëherë numërimi elektronik duhet të jetë një ndër kërkesat bazë të opozitës.

Së treti kjo krizë mund të jetë edhe një oportunitet për të riparuar një gabim të madh të bërë në fund të dekadës së kaluar me ndryshimin e sistemit zgjedhor nga ai i përzierë në proporcional kombëtar.  Sistemi aktual zgjedhor është bërë enkas me ujdi të ulët mes dy partive të mëdha për të ruajtur monopolin të pushtetit duke shkatërruar partitë e tjera.  Sistemi aktual inkurajon kriminalizimin e sistemit sepse nxit politikanët që të vendosin në fund të listave fituese të kandidatëve njerëz me të kaluar kriminale të cilët kanë para të pista apo mjete dhune për të siguruar vota me ryshfete apo kanosje. Po ashtu ky sistem është një ndër shkaktarët kryesorë të problemeve që ka elita jonë politike sepse çimenton një oligarki dhe i detyron partitë e vogla që të nënshtrohen e të futen në rresht sepse jashtë koalicioneve të mëdha nuk mbijetojnë dot. Në këtë mënyrë ky sistem zgjedhor që kemi, dekurajon pluralizmin  dhe konkurrencën si dhe pamundëson ripërtëritjen e elitës politike në vend. Prandaj nëse me të vërtetë do të donte të kontribuonte në të mirë të Shqipërisë opozita, këtë avantazh negociues që ka krijuar me protestën e çadrës dhe kërcënimin me bojkotit, mund ta përdorte për të propozuar një reformë të re zgjedhore që riparon reformën e kaluar dhe ndihmon në demokratizimin dhe sundimin e ligjit. Në realitet nuk ekziston një sistem zgjedhor i përkryer, por ekzistojnë sisteme të përshtatshme për nevoja apo rrethana specifike. Studimet e ndryshme krahasimore tregojnë se sistemi proporcional kombëtar  ku partitë garojnë me lista të mbyllura në një zonë të vetme zgjedhore është ai që garanton maksimumin e integritetit të procesit zgjedhor dhe maksimumin e konkurrencës në sistemin politik.  Në rastin e politikës në Shqipëri që po vuan nga zgjedhje të manipuluara dhe klasë politike të çimentuar, proporcionali kombëtar do të ishte kura më e mirë.

Me pak fjalë kriza aktuale nga rrezik mund të shndërrohet në mundësi nëse lideri i opozitës e përdor momentumin duke parashtruar kërkesa që i shërbejnë interesave të vendit e jo të partisë apo figurave kryesore të saj. Kjo do të thotë që mos të vazhdohet me një pozicion politik si qeveria teknike që ka për qëllim vetëm dëmtimin e kundërshtarit por me reforma politike që me të vërtetë bëjnë të mundur një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm. Kjo do të thotë se në interes të demokracisë dhe ligjshmërisë në Shqipëri do të ishte mirë të kishim një sistem zgjedhor që dekurajon vjedhjen dhe korrupsionin si proporcionali kombëtar dhe një kod zgjedhor që garanton de-politizimin e administratës dhe numërimin elektronik.