Kërkesat e Luginës

Riza Halimi flet për largimin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës nga dialogu me Beogradin zyrtar. Ai akuzon qeverinë serbe se nuk po ndalet së diskriminuari shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Lajme

24/11/2013 06:27

Të indinjuar nga vazhdimi i politikës diskriminuese të Beogradit ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, përfaqësues politikë të tri komunave me shumicë shqiptare në jug të Serbisë kanë vendosur të jenë më këmbëngulës në kërkesat e tyre.

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi, tha për lajmi.net se miratimi i Ligjit për Rrjetin e Institucioneve Gjyqësore, ka lënë Preshevën e Bujanocin pa Gjykatë dhe Prokurori Themelore.

Ai akuzoi kryeministrin serb Ivica Dacic, se me veprimet e tij po i bllokon bisedimet me përfaqësuesit politik të Luginës, duke bërë këso lloj politika diskriminuese për komunat me shumicë shqiptare.

“Qeveria i ka ndërprerë këto bisedime në mënyrën si po i trajtojnë shqiptarët. Dacic dhe Vucic kishin paralajmëruar se do të ketë veprime konkrete, do të sigurohet një qasje më serioze në zgjedhjen e problemeve jetësore të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, por po ndodhë e kundërta”.

“Propozim-ligji për rrjetin e institucioneve gjyqësore që është aprovuar të mërkurën në parlamentin republikan tregon faktikisht se vazhdon qasja diskriminuese ndaj shqiptarëve”.

“Meqenëse në bazë të këtij ligji tashmë Presheva mbetet edhe pa Gjykatë Themelore edhe pa Prokurori Themelore Publike, Bujanoci gjithashtu mbetet pa Prokurori Themelore dhe pa Gjyqin për Kundërvajtje”.

“Në këtë mënyrë vështirësohet edhe më tepër se deri më tani, degradohet edhe më tepër pozita e shqiptarëve në sistemin gjyqësor”.

Halimi tha se krijimi i institucioneve ligjore po bazohet në numrin e banorëve në Preshevë dhe Bujanoc, që sipas tij, nuk është real duke pasur parasysh se shqiptarët nuk ka marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë së vitit 2011.

“Shqiptarët trajtohen në bazë të rezultateve të falsifikuara të regjistrimit të vitit 2011 por ata për shumë arsye kanë bojkotuar këtë regjistrim”.

Halimi premtoi se përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Luginës nuk do të marrin pjesë në bisedime të cilat i konsideron lojë politike të Beogradit zyrtar.

“Një qasje e tillë joserioze diskriminuese ndaj shqiptarëve është e papranueshme dhe çdo bisedë e mëtutjeshme për temat tjera joserioze do të ishte vetëm një lojë pa kufi e Qeverisë së Serbisë”.

Numri i vogël i regjistruar i shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ka ardhur si pasojë e strategjive të shtetit serb për t’i mos i regjistruar ata si qytetarë të këtyre komunave. Halimi tha se kjo strategji është bërë duke i neglizhuar banorët e këtyre komunave të cilët jetojnë në Kosovë duke mos i lejuar të rimarrin dokumentet personale të Serbisë.

“Shqiptarëve të shpërngulur gjatë luftës, në fillim në Medvegjë e më vonë edhe në dy komunat tjera, kur u skadonin afatet e dokumenteve personale dhe kur paraqiteshin në polici për të marrë letërnjoftimin apo pasaportën e re, policia dilte me përgjigje se këta persona nuk tregojnë qëllim real për të jetuar aty”.

“Në Bujanoc e Medvegjë aspak nuk është punuar për të krijuar kushtet për kthim të popullatës”.

“Një pjesë e tyre kthehen tani në persona juridikisht të padukshëm, një pjesë e tyre nuk kanë as dokumente në Kosovë por mbeten edhe pa dokumente në Serbi”.

“Çështja e pamundësisë së regjistrimit të azilantëve, të popullatës së zhvendosur të cilëve nuk iu kishin krijuar kushtet për kthim ishin problemet të cilat nuk i zgjidhën deri sa fillojë regjistrimi”.

“U imponua edhe formulari vetëm në gjuhën serbe në çirilicë dhe ishin jo adekuate në aspekt etnik, strukturën e regjistruesve dhe instruktorëve. Kjo ishte skema në të cilën shqiptarët e bojkotuan regjistrimin e vitit 2011”.

Halimi tha se kanë përpiluar një listë me kërkesat themelore për Qeverinë e Serbisë.

“Janë paraqitur shtatë temat kryesore, njëra nga to ka qenë edhe pika për gjykatat në fakt vazhdimi i bisedimeve që do ta ketë peshën kryesore se a trajtohen shqiptarët ashtu siç janë me të gjithë peshën e problemeve që e kanë”.

Komentet e kryeministrit Dacic për shkëmbim territoresh, Halimi quajti si ide të tija personale të cilat nuk përkasin as me qëndrimin e vet qeverisë me të cilën ai drejton.

“Është një manipulim. Është e qartë se idetë e këmbimit janë tejkaluar. Dihet shumë qartë se në mënyrë të qetë me marrëveshje është e pamundur. Kjo është një taktikë e Kryeministrit Dacic sepse edhe ai është i bindur se kjo realisht në rrethanat ekzistuese është e pamundur”.