Kërkesat e Greqisë pamundësojnë zgjidhjen e çështjes së emrit

Vizita e ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Kotzias, ka betonuar kërkesat e Athinës për ndryshimin e Kushtetutës dhe një varg kërkesash tjera si kusht për zgjidhjen e kontestit 27-vjeçar me Maqedoninë për çështjen e emrit.

Lajme

24/03/2018 13:40

Deklarata e tij me tone miqësie dhe përkushtimi për ndërtimin e raporteve të mira mes dy vendeve dhe integrimin e, siç tha, “fqinjit verior” në institucionet euroatlantike, sipas njohësve të zhvillimeve ndërkombëtare, mbetet vetëm deklarative, pasi Kotzias me qartësimin e vijave të kuqe, dëshmoi se Athina nuk ka lëvizur për asnjë milimetër nga ajo që tashmë e di i gjithë opinioni.

“Për mua janë të pakuptimta qëndrimet e tyre të shprehura, madje, në mënyrë agresive. Vijnë këtu, ndërsa paraprakisht i tregojnë qëndrimet e tyre. Qëndrimi apo kërkesa e tyre për ndryshimin e Kushtetutës mendoj se nuk duhet të merret parasysh”.

“Këtu do të ngecë i gjithë procesi, pasi Maqedonia nuk duhet dhe nuk guxon t’i hyjë një procesi të ndryshimit të Kushtetutës pasi përveç se do të nënkuptonte si përzierje flagrante e Greqisë në punët e brendshme të vendit tonë, kjo gjithashtu mund të shkaktonte pakënaqësi dhe turbulenca të paparashikueshme te ne”, deklaron për Radion Evropën e Lirë, Lupço Ristevski, ish-ambasador i Maqedonisë në Greqi dhe ish-pjesëmarrës në bisedimet për zbatimin e marrëveshjes së përkohshme mes dy vendeve të vitit 1995.

Ismet Ramadani, kryetar i Këshillit Euroatlantik dhe këshilltar i Jashtëm i kryeministrit Zoran Zaev, thotë për Radion Evropën e Lirë se mesazhet e shefit të diplomacisë greke japin shpresë se ndoshta dy vendet mund të arrijnë zgjidhje pasi nga ky kontest asnjëri vend nuk mund të ndihet si fitues.

Por, Ramadani nuk beson se zgjidhja mund të arrihet me ndryshimin e Kushtetutës, pasi edhe sikur ta donte këtë Qeveria dhe shumica parlamentare, ajo nuk do të arrihej për shkak të mungesës së shumicës absolute në Kuvend.

“Çështja e ndryshimeve kushtetuese tani edhe nuk ka gjasa të ndodhë pasi shumica në Kuvend nuk i ka a dy të tretat e votave. Prandaj, për ta kapërcyer këtë fazë, mendoj se do të ketë mirëkuptim nga pala greke, që një pjesë e marrëveshjes të përfshijë ndryshimin e emrit dhe disa çështje që mbeten kontestuese e që kanë të bëjnë me Kushtetutën, të arrihen me disa ndërhyrje më intensive të ndërmjetësit së bashku me të gjithë ata që janë të përfshirë në këtë proces, apo që pjesa që ka të bëjë me Kushtetutën, të lihet për më vonë”, vlerëson Ramadani.

Lupço Ristevski, nga ana tjetër, thotë se dy vendet mund të arrijnë një marrëveshje, bazuar në marrëveshjen e përkohshme, për një emër me referencën IRJM-ish Republikë Jugosllave e Maqedonisë, me të cilën është pranuar në OKB dhe në shumë organizata tjera ndërkombëtare.

“Shpresoj se ndoshta shtetet anëtare të NATO-s, do të gjendjen ndonjë zgjidhje të përkohshme deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme dhe të pranueshme nga të dyja shtetet. Ne nuk duhet të luajmë me marrëveshjen e përkohshme. Ajo është një dokument bazë mes dy shteteve që rregullon relacionet e vendit tonë me institucionet ndërkombëtare”.

“Unë me grekët, për 21 ditë, kam zhvilluar negociata për të arritur në fund memorandumin për zbatimin në praktikë të marrëveshjes së përkohshme. Ai saktëson qartë se si të përdoret emri në relacionet ndërkombëtare, me çfarë shkurtesash në të paraqitet, çfarë vulash të vendosen e kështu me radhë. Pra, ka një marrëveshje të përkohshme, e cila vlerësoj se duhet të përdoret për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO”, thekson Ristevski.

Në rast se edhe një marrëveshje e përkohshme nuk arrihet apo nëse dështon i gjithë procesi i negociatave, atëherë sipas ekspertëve, Maqedoninë e pret një periudhë e vështirë me pasoja të paparashikueshme. Humbja e gjasave për anëtarësim në NATO dhe BE, sipas Ismet Ramadanit nga Këshillit Euroatlantik, mund të nxisë pakënaqësi për shkak të humbjes së perspektivës së qytetarëve, por edhe tensioneve në rrafshin ndëretnik.

“Kur humb shpresa, atëherë paraqitet edhe defetizmi te vetë shteti, te qytetarët, dhe definitivisht Maqedonia do të ketë karakteristikën e një shteti pa perspektivë. Në këtë rast do të trazoheshin segmente apo grupe, të cilat do të kërkojnë alternativa tjera. Në një situatë të tillë, do të paraqiten edhe përplasje opsionesh, konceptesh, por mund të them edhe përplasje ndëretnike”, shton Ramadani.