Kërkesa skandaloze e shoqatës së sigurimeve për regjistrimin e veturave, përgjigjet MPB-ja

Një rekomandim i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës për ministrinë e Punëve të Brendshme ka shkaktuar reagime të mëdha në opinion dhe në media.

Lajme

24/08/2018 14:05

Sipas të njëjtit rekomandim, Shoqata e Sigurimeve të Kosovës kërkon nga MPB-ja rritjen e dënimeve për ata që nuk i regjistrojnë automjetet, ose këtë veprim e bëjnë me vonesë, shkruan lajmi.net.

Vonesa deri në shtatë ditë, të nënkuptojë gjobë deri në 200 euro, e 7 deri në 15 ditë gjobë të shkojë deri në 300 euro, thuhet në kërkesën të cilën e ka bërë publike Besarb Blakaj, anëtar i kësaj shoqate.

Madje aty kërkohet edhe konfiskimi dhe shkatërrimi i veturës nëse kalojnë 30 ditë që nga përfundimi i regjistrimit.

Mirëpo, një kërkesë e tillë zor se mund të mirret parasysh nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshëm, Abduselami Shkodra, ka thënë sot për lajmi.net se ministria e Punëve të Brendshme i ka politikat e veta dhe nuk ndikohet nga asnjë shoqatë.

Siç thotë Shkodra, MPB-ja nuk mund të aprovojë asnjë propozim në të cilin rekomandohet konfiskimi dhe prona e dikujt.

“Ministria e Punëve të Brendshme i ka politikat e veta, edhe ata mbi bazën e gjendjes faktike e cila është në terren. Dhe nuk ndikohet prej asnjë lloj shoqate, veçanërisht kur ato rekomandime nuk janë të bazuara, ne nuk mund të aprovovojmë asnjë propozim nga dikush që thotë konfiskohet dhe shkatrrohet prona e askujt. Ne vazhdojmë me besu që numri i automjeteve në Kosovë është 90 për qind në bazë të po atyre statistikave që ka policia”, ka thënë Shkodra për lajmi.net.

Kujtojmë se në Kosovë është një numër i madh i automjeteve të paregjistruara. E nga kompanitë e regjistrimeve të automjeteve, tash e një kohë është thënë se një gjë e tillë po i shkakton dëme financiare buxhetit të Kosovës./E.D/Lajmi.net/