Kërkesa e Listës Serbe: të revidohen privatizimet në komunat serbe

Ministri i Administrimit dhe i Pushtetit Lokal në qeverinë e Isa Mustafës, Lubomir Mariq ka deklaruar se privatizimi në Kosovë është çështja më e rëndësishme për bashkësinë serbe dhe se Asociacioni serb i Komunave (ASK) nuk mund të llogarisë në zhvillimin e vet nëse nuk e ka në dispozicion pasurinë.

Lajme

14/12/2014 12:57

Ai ka theksuar se përfaqësuesit e Listës Serbe mu për këtë shkak insistojnë që të revidohen të gjitha privatizimet e deritashme, që të verifikohet ç’është bërë e ç’ nuk është bërë sipas ligjit dhe se është e domosdoshme që bashkësia serbe të marrë përgjegjësinë dhe autorizimet në çështjet e pasurisë.

Mariq ka thënë se prioritet në punë do ta ketë atë që është më e rëndësishmja për administrimin lokal dhe popullatën – ekonominë dhe investimet.

“Në mënyrë që të tërhiqen investitorët, është e domosdoshme të zgjidhet çështja e pronës. E para që do ta bëj, do të kërkoj të bëjmë listën, të bëjmë bazën e saktë të shënimeve se cilat janë pasuritë që kanë komunat tona dhe çfarë është e domosdoshme të bëhet që komunat të disponojnë me atë pasuri ashtu që të shkohet në investime dhe që të fillohet me investime për të krijuar vende pune”, ka thënë Mariq për Tanjug, transmeton Koha.net.

Ai ka theksuar se pjesa më e rëndësishme e marrëveshjes që u arrit ndërmjet Listës Serbe dhe LDK –së e PDK –së, është ajo që ka të bëjë me formimin e ASK-së për të cilin është lënë afat tre deri në pesë muaj.

Mariq, i cili është edhe koordinator ekipit drejtues për vendosjen e ASK-së, ka thënë se Asociacioni do të formohet më përputhje me Marrëveshjen e Brukselit.

Ai ka theksuar se ASK do të ketë kompetenca në katër fusha: shëndetësi, edukim, ekonomi dhe planifikim rural.