Kërçova goditet nga moti i ligë

Moti i ligë me reshje të mëdha shiu dhe vetëtima sonte e kanë kapluar Maqedoninë Perëndimore. Më alarmante situata raportohet të jetë në Gostivar dhe Kërçovë.

Lajme

20/08/2016 08:52

Derisa në Gostivar situata është e qëndrueshme dhe pa ndërlikime, rruga kryesore e qytetit të Kërçovës e cila është pjesë e rrugës magjistrale Kërçovë-Ohër është nën ujë, dhe vështirëson qarkullimin e automjeteve Kërçovë-Ohër dhe anasjelltas

Ndërkohë në profilin e tij në facebook ka reaguar edhe kreu i Komunës së Kërçovës.

“Të dashur qytetarë, brenda dhe në mërgim, Më lejoni që t’ua përcjell gjendjen e krijuar pas reshjeve të mëdha të shiut në qytetin tonë në orët e mbrëmjes së sontme. Fillimisht falënderuar të madhit Zot, gjendja në momentin që Ju shkruaj është stabile dhe pa dëme të mëdha materiale. Ekipet tona komunale e përcjellin me kujdes situatën e krijuar dhe me shpejtësi intervenuan në akset rrugore më të dëmtuara për të mundësuar qarkullim të lirë të automjeteve dhe qytetarëve në të gjitha drejtimet. Në bashkëpunim me banorët vendor, do të japim maksimumin për të ndihmuar edhe në shtëpitë të cilat kanë pësuar nga të reshurat e fundit. Ju lus për qetësi dhe bashkëpunim eventual. Uroj që të kemi një natë të qetë. Ju faleminderit për mirëkuptimin”, shkruan Dehari./Alsat.M/